Kryesuesi Hyseni takon Drejtorin e OPDAT-it për Evropën Juglindore

 

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, i shoqëruar nga Zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, ka pritur në takim Drejtorin e Zyrës Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë -OPDAT për Evropën Juglindore, Paul Vaky.

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi i sistemit prokurorial me OPDAT-in dhe fushat në të cilat duhet të përqendrohen bashkërisht këto institucione në të ardhmen, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial.

“Me këtë rast, Kryesuesi Hyseni dhe Zëvendëskryeprokurorja Morina kanë falënderuar Drejtorin Vaky për ndihmën e OPDAT-it dhënë sistemit prokurorial të Kosovës, duke shprehur nevojën e mëtutjeshme për ofrimin e ndihmës në fushën e trajnimeve dhe zhvillimit profesional të prokurorëve kosovarë. Në anën tjetër, lidhur me vazhdimin e mbështetjes për sistemin prokurorial ka folur edhe Drejtori Vaky, duke thënë se do të vazhdohet koordinimi për ndihmën e mëtutjeshme në fushat dhe segmentet e nevojshme”, thuhet në njoftim.

“Të dy bashkëbiseduesit u fokusuan në tema konkrete të interesit të përbashkët që në të ardhmen pritet të jenë aktivitete në mes të sistemit prokurorial të Kosovës dhe OPDAT-it, me qëllim të ndihmës dhe zhvillimit profesional të prokurorëve të Kosovës”, përfundon njoftimi.​