Menaxhmeti i ndërmarrjes "Trepça" 26.08.2024 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Kryesindikalisti i ‘Trepça Sh.A.’ pretendon se menaxhmenti do ta shkarkojë, këta të fundin e mohojnë
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi ka pretenduar se të shtunën më 02.11.2024, menaxhmeti i Trepçës ka mbajtur një takim me agjendën e vetme, për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të sindikatës.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare e “Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës” ai ka thënë se kjo është bërë si parakusht për hapjen e rrugës për investime nga qeveria.
Sipas tij, arsyeja e vetme që jep menaxhmenti është se reagimet dhe kërkesat e kryesindikalistit po ngjallin pakënaqësi te qeveria.
“Nga burime të sigurta, jam njoftuar se menaxhmenti i ndërmarrjes ‘Trepça Sh.A.’, ditën e shtunë, në orët e vona ka zhvilluar takim në restorantin Castell në Milloshevë, me agjendën e vetme për shkarkimin tim nga pozita e kryetarit të sindikatës, gjoja si parakusht për hapjen e rrugës për investime nga qeveria, pasi sipas tyre unë jam pengesë për proceset zhvillimore dhe investimet në ndërmarrje. Arsyeja e vetme që japin është se reagimet dhe kërkesat e mia po ngjallin pakënaqësi tek qeveria!” – ka shkruar ai.
Ai shtoi se vazhdimisht ka ngritur zërin për të drejtat e minatorëve.
“Përgjigjja është e thjeshtë: kam ngritur zërin dhe kam reaguar vazhdimisht për shkeljen e të drejtave të minatorëve, kushtet jashtëzakonisht të dobëta të punës, mospagesën dhe vonesat e vazhdueshme të pagave, si dhe përndjekjen e atyre që mendojnë ndryshe nga menaxhmenti. Ky reagim vjen si përpjekje për të mbrojtur dinjitetin e minatorëve dhe për të siguruar kushte më të drejta dhe të qëndrueshme pune për ta”.
Pretendimet e Kryetarit të Sindikatës së Minatorëve i ka kundërshtuar menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça”.
“Pretendimet në fjalë nuk qëndrojnë. Takimi ka qenë me inxhinierë të ndërmarrjes për çështje pune, takim i natyrës së punës. Inxhinerët janë pjesë përbërëse e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës. Sindikata është organ i pavarur dhe mund të veprojë si të dojë”- thuhet në përgjigjet e menaxhmentit.
Në lidhje me këto përgjigje, KALLXO.com ka kontaktuar Kryetarin e Sindikatës, Ibrahim Januzin dhe i njejti tha se qëndron prapa deklaratave të thëna në njoftim.
“Unë e di që menaxhmenti nuk është aq naiv edhe me i pranu këto sepse kjo është ndërhyje në një organ tjetër dhe normal që është e ndalume me ligj. Qëndroj prapa fjalëve të mia”- tha Januzi.
Ndryshe, KALLXO.com ka raportuar muajt e kaluar për shkarkimet e suspendimet e vazhdueshme të punëtorëve nga puna. Kjo për shkak sipas menaxhmentit se këta punëtorë kanë bërë shkelje të detyrave të punës.