Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryesindikalisti i MPJD-së risistemohet në MSh, Shoqata Sindikale e quan veprim të kundërligjshëm

Kryetari i Shoqatës Sindikale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Agron Maloku përmes një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), është sistemuar në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh).

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ), po e quan këtë veprim të MPB-së si sulm ndaj veprimtarisë sindikale në MPJD.

“Z. Agron Maloku, kryetar i Shoqatës Sindikale ka pranuar një vendim nga MPB (me datë 16 shtator 2022) përmes të cilit sistemohet në Ministrinë e Shëndetësisë, kinse në kuadër të sistematizimit dhe riorganizimit të ri të MPJD-së” – thuhet në reagimin e SHSASHJ-së.

SHSASHJ thotë se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, Komisioni në kuadër të MPJD-së kishte vendosur që Malokun ta fus në listën për transfer në ndonjë ministri tjetër, duke i dhënë përparësi kundrejt tij për sistematizimin e një zyrtari në MPJD që siç ka thënë SHSASHJ, pa gradë diplomatike dhe pa përvojë të nevojshme në shërbimin e jashtëm.

“Shoqata Sindikale e konsideron një veprim të tillë si të qëllimshëm me synim hakmarrjen për shkak të veprimtarisë sindikale të z. Maloku.  Shoqata Sindikale që nga themelimi i saj në mars 2017 e deri në ditët e sotme ka denoncuar fenomenet e kundërligjshme të MPDJ-së” – deklaron shoqata.

SHSASHJ e konsideron si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në funksionimin dhe administrimin e Shoqatës Sindikale, veprimin e MPJD-së dhe MPB-së për caktimin e Malokut në një vend tjetër të punës.

Më tej, SHSASHJ ju ka bërë thirrje Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), që të përdorë autoritetin e saj për të mbajtur përgjegjëse MPJD-në dhe MPB-në.

“Po ashtu, Shoqata Sindikale i bën thirrje Avokatit të Popullit dhe Prokurorisë së Shtetit që në mënyrë që ‘ex officio’ të trajtojnë me urgjencë një shkelje të tillë, e cila ka ardhur si hakmarrje për veprimet sindikale legjitime dhe ligjore në mbrojtje të të drejtave të stafit dhe vënies së ligjshmërisë në MPJD” – shton tutje Shoqata.