Kryesia e LVV-së mban mbledhje, diskuton edhe për situatën në veri

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur sonte një mbledhje, me ç’rast ka shqyrtuar çështjet politike në vend dhe ato organizative përbrenda Lëvizjes.

Siç ka njoftuar sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, Kryesia ka diskutuar edhe për procesin zgjedhor për komunat në veri të vendit dhe kryetarëve të këtyre komunave u uroi punë të mbarë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon të jetë e përkushtuar në realizimin e zotimeve të dhëna para qytetarëve” – ka shkruar Rama në Facebook.

Në këtë mbledhje po ashtu është miratuar kalendari i aktiviteteve për Javën e Lëvizjes sivjet 10-17 qershor.

Që nga e premtja është tensionuar situata në veri të Kosovës, pasi kryetarët e rinj të komunave hynë në ndërtesat e komunave në veri të vendit.

Kryetarët e Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit kanë hyrë nën përcjelljen e Policisë, pasi dyert e ndërtesave ishin bllokuar nga qytetarë të komunitetit serb, të cilët u shpërndanë nga Policia, e cila përdori gaz lotsjellës, ndërkohë që policët u sulmuan me gurë e shok-bomba.

Bashkësia ndërkombëtare po i bën presion Qeverisë së Kosovës që të ndalë veprimet e saj në veri.

Për këtë arsye, ambasadori amerikan ka ftuar për nesër në mëngjes në takim kryetarët e komunave të veriut të vendit.