Kryesia e LDK-së mori disa vendime, ndër to edhe themelimi i Shkollës Politike

Lidhja Demokratike e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime në lidhje më riorganizimin e brendshëm.

Një nga vendimet e sotme ka të bëjë me reformimin e degëve të LDK-së.

“Procesi i reformimit synon të riorgnizojë Degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Po ashtu, ekipet e Kryesisë do të ndihmojnë Degët në përgatitjet për zgjedhjet lokale”, thuhet në një njoftim për media.

Në këtë mbledhje po ashtu u aprovuar propozimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që të riorganizohet Zyra për medie dhe Qendra për Informim e Kosovës – QIK si dhe në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themelohet Shkolla Politike.

“Kryesia e Lidhjes Demokratike, aprovoi formimin e gjashtë Departamenteve si në vijim: Departamenti i Politikës së Jashtme; Departamenti i Rendit, Ligjit dhe Sigurisë;  Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit; Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Sportit;  Departamenti i Shëndetësisë; Departamenti i Rinisë; Departamenti i Avancimit Shoqëror”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas LDK-së, këto departamente do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, ky subjekt politik, sipas rezultateve preliminare fitoi vetëm 13.08 për qind, ndërsa në zgjedhjet  parlamentare të vitit 2019, LDK-ja kishte fituar rreth 24 për qind të votave.

Pasi LDK u listua si partia e tretë në këto zgjedhje, ish-kryetari, Isa Mustafa dha dorëheqje, duke i hapur rrugë Lumir Abdixhikut që të bëhet kryetar i kësaj partie.