Kryesia e Kuvendit vendos për ndarjen e Komisioneve, nuk diskutohet për seancën e zgjedhjes së presidentit

Mimoza Kusari- Lila tha se gjatë kësaj mbledhje të Kryesisë së Kuvendit u bë ndarja e Komisioneve parlamentare në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.

Lila tha se të premten në ora 10:00 është caktuar seanca ku do të ketë votime të Komisioneve dhe grupet parlamentare do t’i dorëzojnë edhe emrat përfaqësuesve të kryetarëve, zëvendëskryetareve dhe anëtarëve të Komisioneve. Ndërsa tha se sot nuk kanë diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Të premten do të bëhet betimi i deputetëve të ri ndërsa zgjedhja e presidentes bëhet në seancë të re. Sot nuk e kemi pas temë zgjedhjen e presidentes. Sipas formulës dhe sipas forcës politike grupit parlamentar të LVV-së i takojnë komisione të kryesoj dhe natyrisht që të ketë zëvendës kryesues”, tha Kusari Lila.

Kusari Lila ka treguar edhe Komisionet të cilat do t`i udhëheqë LVV-ja.

“Grupi parlamentar i LVV-së në këtë legjislaturë do të kryesoj me Komisionin për Buxhet Punë dhe Transfere, Komisioni për Legjislacion Mandate dhe Imunitete, do të kryesoj në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisioni për Arsim, Komisioni për Bujqësi Pylltari, Komisionin për Shëndetësi, Komisionin për Qeverisje Lokale”, tha Kusari Lila duke treguar se udhëheqja e komisioneve tjera shkon për PDK-në, LDK-në dhe partitë e pakicave.

PDK-së do t’i takojë të kryesoj Komisionin për Ekonomi dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së. LDK-së sipas saj do t’i takoj të kryesoj Komisioni për Integrime Evropiane dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheq Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes.

Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve e udhëheqë Lista Serbe ndërsa Komisioni për të Drejtat e Njeriut, barazi Gjinore, Persona të Pagjetur e udhëheqë 6+.

“Nënkryetar të LVV-së do të jenë në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve, Komisioni për Integrim Evropian, në Komisionin për Ekonomi, në Komisionin për Çështjen e Sigurisë dhe Mbrotjës, Komisioni për  të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për AKI”, tha Lila.

Lila tha se  LVV do t’i ketë nëpër komisione nga 5 deputetë të përfaqësuar, dy nga PDK, një nga LDK, një nga LS dhe një nga 6+.