Kryesia e Kuvendit respektoi rekomandimet për mbrojtje nga coronavirusi: distancë, doreza e maska

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozuar nga grupi parlamentar i LDK-së.

Për shkak të situatës së krijuar nga coronavirusi, mediat nuk u lejuan që të marrin pamje.

Mirëpo, Kuvendi i Kosovës ka publikuar disa fotografi nga kjo mbledhje.

Në pamje shihet se anëtarët e Kryesisë kanë respektuar distancën fizike dhe janë pajisur me masa mbrojtëse – dorëza dhe maska.

Kuvendi i Kosovës pritet që nesër të mbajë seancën për rrëzimin e Qeverisë Kurti, e inicuar nga LDK-ja.

Pas mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nga LDK, ka kërkuar nga deputetët që të mos e votojnë mocionin e mosbesimit për shkak të situatës pandemike në të cilën gjendet vendi.

KALLXO.com ka raportuar sot se Komuna e Obiliqit ka mbajtur mbledhjen e asambles në sallën sportive, si masë parandaluese të coronavirusit.

Me coronavirus deri më tani janë konfirmuar 63 raste.