Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, tjetër tentativë për shqyrtimin e Projektligjit për Trustin

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të hënën në ora 10:00 për të caktuar seancën e radhës.

Në rend dite në ketë mbledhje, mes tjerash është edhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës përmes të cilit mundësohet tërheqja e një përqindje të parave nga Trusti, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Shqyrtimi i Projektligjit për Trustin është shtyrë për këtë të hënë pasi javën e kaluar, në mungesë të kuorumit Kryesia e Kuvendit ka dështuar të vendosë për seancën e radhës parlamentare.

Projektligji për trustin ka kaluar për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, pa marrë miratimin e komisionit përkatës. 

Me propozim të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ky projektligj u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit me 27 prill të këtij viti.

Deputetë të opozitës po kërkojnë miratim të projektligjit që do u jepte qytetarëve mundësinë të tërheqin deri në 30 për qind të parave nga fondi pensional.

Sa i përket subjektit politik më të madh në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti ka thënë se nuk do ta mbështesë këtë propozim të PDK-së.

Kryeministri Albin Kurti të mërkurën e ka përsëritur edhe njëherë se qeveria që ai drejton nuk e mbështet tërheqjen nga Trusti.

Kurti ka njoftuar se nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura në trustin pensional, 90% e tyre i kanë më pak se 10 mijë euro të akumuluara.

Sipas tij, mbështetësit e tërheqjes së parave nga trusti po manipulojnë me konceptin e varfërisë, që sipas Kurtit, “nuk bëjnë vet pjesë”.

“Janë këta që kanë sjellë këtë propozim në Kuvend dhe këta që po përdorin rrjetin medial për të manipuluar me qytetarët…. Nuk mundemi një problem tani ta zgjidhim, duke rrënuar të ardhmen”, tha në mes tjerash Kurti.

Një veprim i tillë nuk është përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ditë më parë qytetarë të shumtë janë mbledhur para Qeverisë në shenjë proteste për lejim të tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të Trustit.

Me thirrjet “TRUST-i është i joni – jo i qeverisë”, “Kursimet janë për ditë të vështira”, “Unë të votova ty, ti votoje trustin”, protestuesit kërkuan që Kuvendi të votojë pro tërheqjes së mjeteve.

Shtyhet caktimi i seancës së Kuvendit dhe diskutimi për tërheqjen nga Trusti