Kryesia e Kuvendit mblidhet sot për ta shqyrtuar mocionin e LDK-së

Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, inicuar nga LDK-ja.

Kuvendi ka bërë të ditur se Kryesia do të mblidhet në ora 14:00.

Kjo mbledhje në rend të ditës e ka vetëm një pikë: “1. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozuar nga Grupi Parlamentar  i LDK-së, mbështetur nga 44 deputetë”, thuhet në njoftim.

Kuvendi i Kosovës përmes një letre zyrtare sot i ka kërkuar opinion Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për mundësinë e mbajtjes së seancës për mocionin e mosbesimit, për shkak të COVID – 19, nga i cili deri më tani janë konfirmuar 33 raste.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com dje gjatë ditës i ka dërguar pyetje IKShPK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Grupi Parlamentar i LDK-së të premten ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Sipas procedurave të legjislativit, ky mocion duhet të shqyrtohet në seancë, jo më vonë se deri të mërkurën e kësaj jave.

Në anën tjetër, në opinion është thënë se kjo seancë mund të mos mbahet për shkak të gjendjes nga coronavirusi dhe rekomandimeve të institucioneve për distancë sociale.

Kurse, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, i cili vjen nga radhët e LDK-së, ka thënë se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, në Kuvend do të vazhdojë sipas procedurave.

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.

Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe 26 raste të reja me coronavirus në Kosovë duke shtuar numrin e të infektuarve në 61.