Fisnik Osmani - Kryeshef i Termokosit - Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Kryeshefi i Termokosit: Jemi të gatshëm të fillojmë ngrohjen edhe para 15 tetorit

Kryeshefi i porsazgjedhur i ngrohtores së qytetit të Prishtinës, Fisnik Osmani, ka thënë se Termokosi është i gatshëm të fillojë me ngrohje edhe para datës 15 tetor.

Duke folur në emisionin ‘Kallxo Përnime’ për përgatitjet e ngrohtores, Osmani tha se janë duke u përcjellë temperaturat e jashtme në qytet.

“Kur po flas përgatitjet, po flas për pjesën e rrjetit, pjesën e nënstacioneve termike, mirëmbajtjen e tyre, testimin e tyre. Edhe mund të konkludojmë që ne jemi gati që të fillojmë sezonën e ngrohjes me datën 15 tetor. Nëse paraqitet nevoja, jemi duke i përcjellë temperaturat e jashtme në qytet, nëse paraqitet nevoja, në konsultim me Komunën, ne jemi të gatshëm që t’ia nisim edhe më herët furnizimin me energji termike” – tha Osmani.

Aktualisht, Termokosi i ka rreth 18 mijë konsumatorë, ndërsa çmimi i faturimit të përcaktuar nga ZRRE-ja, sipas Osmanit, është 76 centë për metër katror për sektorin banesor dhe 96 centë për bizneset.

“Termokosi ka aplikuar për tarifat të reja dhe është në procedurë. Na duhen sepse është rregull ligjor. Para çdo fillimi  të sezonës, ne jemi të obliguar që t’i marrim tarifat e reja. Ajo çka ne kemi propozuar janë të hyrat e lejuara prej inkasimit, këto të hyra në bazë të informatave për sezonin e kaluar kanë qenë 8 milionë euro, ndërsa projeksionet janë të njëjta edhe në këtë sezon. Pra nuk paragjykojmë a do të ketë ulje apo ngritje, por në bazë të pritjeve që i kemi, se aktualisht është në diskutim publik. Prej vitit të ardhshëm presim të ndryshojë mënyra e faturimit, për shkak të matësve të energjisë” – ka thënë tutje Osmani.

Ai tha se prej vitit 2014, në ngrohtoren e qytetit të Prishtinës nuk është bërë asnjë investim kapital serioz për mirëmbajtjen e kaldajave.

“Prej vitit 2014, kur praktikisht jemi në proces të ekogjenerimit, ngrohtorja e qytetit nuk ka bërë asnjë investim në mirëmbajtje të kaldajave. Ne kur kemi shkuar aty, kemi gjetur një gjendje në të cilën nuk është bërë asnjë investim, po flas investim kapital serioz i cili mbërrin mirëmbajtjen e kaldajave” – bëri të ditur Osmani.

“Ngrohtorja i ka dy kaldaja brenda, të cilat i kanë nga 58 mgW energji termike. Njëra është jashtë funksionit, tjetra është me funksion jo krejt të plotë. Po flasim për sistemin e vjetër, që nëse bie rrjeti, duhet me aktivizu atë.  Por nuk garantojmë se do të ketë stabilitet në funksionim, në rast se kemi problem të furnizimit me KEK-un. Pra, nëse KEK-u dështon për arsye të ndryshme, atëherë ne mund ta shtyjmë disa ditë, por nuk garantojmë që mundemi me javë dhe muaj, me këtë sistem të kaldajave”.