Kryeshefi i Telekomit shpjegon rastin e mashtrimit, tregon pse policia nisi aksionin

Mëngjesin e sotëm, hetues të policisë kanë nisur një aksion në Telekomin e Kosovës në lidhje me një mashtrim për të cilin kishin bërë kallëzim penal menaxhmenti i ndërmarrjes.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka sqaruar ngjarjen e cila përfundoi me një aksion të policisë në zyret e Telekomit.

“Unë sapo u njoftova nga policia se kemi të bëjmë me një kallëzim penal që e kemi bërë për mashtrim”, tha Istrefi.

Ai shpjegoi në detaje se për çfarë ishte kallëzimi.

“Fjala është që në kohën kur ka qenë Agron Mustafa Kryeshef i Telekomit, në periudhat 2015-2016 është nënshkruar një kontratë me një operator të Maqedonisë. Për shkak të kushteve jo të mira të Telekomit ne i jemi obliguar atyre një dëm prej më shumë se 200 mijë eurosh. Për shkak se nuk kemi pasur mundësi që të paguajmë një shumë të tillë ne kemi bërë marrëveshje që të paguajmë me këste. Obligimi për pagesë na është bartur prej vitit në vit dhe neve na ka ardhur prej gjykatës vendimi që ky borxh të kryhet ndaj operatorit që kemi lidhur kontratën. Për shkak të gjendjes financiare të Telekomit nuk kemi pasur mundësi që ta paguajmë menjëherë dhe kemi filluar me këstin e parë që ta kryejmë obligimin tonë”, tha Istrefi për KALLXO.com.

Ai shtoi se pasi kishin filluar me pagesën e parë kishin hasur në disa dyshime.

“Pas marrëveshjes së arritur për të kryer obligimin dhe për të paguar me këste, kemi identifikuar menjëherë se në dhënien e këstit të parë nuk janë përputhur xhirollogaria me kompaninë ose operatorin. Pas telefonatave të shumta me zyrtarë financiarë kemi arritur në përfundim se kemi të bëjmë me një mashtrim. Ne menjëherë pasi hasëm në këtë në një afat të shkurtër kohor kemi bërë edhe kallëzimin penal në lidhje me rastin dhe sot aksioni po zhvillohet për këtë rast”, tha tutje Istrefi.

KALLXO.com raportoi se një operacioni policor ka nisur në zyret e Telekomit të Kosovës.

Policia e Kosovës ka thënë se aksioni po zhvillohet me urdhër të Gjykatës kompetente ndërsa për detaje do të njoftojnë mediet me kohë.