Kryeshefi i Telekomit e konfirmon aksionin e policisë

Një askion i policisë në Ndërmarrjen Publike “Telekom” ka nisur gjatë mëngjesit të sotëm.

Kryeshefi i Telekom-it, Bedri Istrefi i ka konfirmuar KALLXO.com-it se policia ka shkuar në ndërtesën e Telekom-it, por ende nuk e di saktë se për çfarë arsye.

“Prej orës 8 kam qenë në Qeverinë e Kosovës në disa takime dhe erdha në Telekom, e pash që policia kishte ardhur. Në mandatin tim i kam bërë tri kallëzime penale të ndryshme. Ende nuk e di arsyen e saktë të policinë që kanë ardhur në Telekom”, tha ai.

Tutje, Istrefi tregoi edhe se kallëzimet penale kanë të bëjnë me kontrata të dëmshme dhe mashtrim por që ende nuk ka konfirmuar nëse aksioni i policisë ka nisur për këto kallëzime.

“Kallëzimet penale janë për kontrata që i kemi pa që kanë qenë të dëmshme për Telekomin e Kosovës, ka raste të kallëzimeve penale që janë edhe për mashtrime por nuk dua të lëshohem në detaje sepse nuk duam as të ndikojmë por që ende po them se nuk e di arsyen e saktë të ardhjes së policisë dhe a lidhet me këto kallëzime penale”, tha Istrefi tutje për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë Baki Kelani, i cili tregoi se aksioni po zhvillohet me urdhëresë të Gjykatës.

“Mund të konfirmojmë se sot 06 mars 2018, Policia e Kosovës bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente është duke e realizuar një operacion policor. Për detaje do të ju informojmë pas përfundimit të operacionit policor”, thuhet në përgjigjen e Kelanit.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar në lidhje me këtë aksion..