Asamblistët e kryeqytetit, Foto: Jehona Lushaku-Sadriu/Facebook
Kryeqyteti subvencionon Kuzhinën Qendrore për mësimin tërëditor me 126,000 euro
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar se asamblistët e kryeqytetit e kanë votuar subvencionimin prej 126,000 euro për Kuzhinën Qendrore për mësimin tërëditor.
Subvencionimin e Kuzhinës Qendrore me 126,000 euro për mësimin tërëditor, Lushaku-Sadriu thotë se e kishte propozuar në seancën e Asamblesë së Kryeqytetit të datës 13.09.2024.
Lushaku-Sadriu ka treguar se çfarë shpenzimesh do të mbulojë ky subvencionim i Kuzhinës Qendrore.
“Ky vendim konkretisht mbulon shpenzimet e mini kuzhinave në pesë shkolla fillore, ku do të implementohet mësimi tërëditor. Kjo mbështetje e Asamblesë është një hap vendimtar për të siguruar vazhdimësinë e procesit të ofrimit të shujtave të ngrohta për nxënësit, ashtu siç është parashikuar në planet tona!” – ka shkruar Lushaku-Sadriu në Facebook, më 14.09.2024.
Si përfundim, Lushaku-Sadriu i ka falënderuar të gjithë asamblistët që e përkrahën me votë këtë vendim, i cili vlerëson se i shërben drejtpërdrejt mirëqenies së fëmijëve në shkolla.
Mësimi tërëditor në kryeqytet vlen për nxënësit e klasave 1 – 5 dhe do të realizohet në pesë shkolla të kryeqytetit.
Mësimi tërëditor i nxënësve të klasave 1 – 5 fillon në ora 07:45 deri rreth orës 15:00. Gjatë kësaj kohe, nxënësit kanë një shujtë të drekës, e cila është e financuar nga Kryeqyteti.
Me fillimin e vitit shkollor 2024/2025, më 02.09.2024, mësimin tërëditor e kanë implementuar dhe vazhdojnë me këtë formë të mësimit dy shkolla fillore të mesme të ulëta në kryeqytet – “Model-Qamil Batalli” dhe “Shkolla e Gjelbër”.
Pasi i kishte vizituar shkollën “Model-Qamil Batalli” me rastin e implementimit të mësimit tërëditor, Lushaku-Sadriu ka deklaruar se më 30.09.2024, mësimi tërëditor pritet të fillojë në shkollat e tjera, shkollën “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri” në Prishtinë.
Kur u pyet nga KALLXO.com se pse nuk ka filluar më 02.09.2024 mësimi tërëditor në pesë shkollat e planifikuara, Lushaku-Sadriu tha se është filluar me shkollat që kanë qenë më gati në kushte.
Për shkak të mësimit tërëditor, ashtu siç ka njoftuar më 15.08.2024 drejtoresha Lushaku-Sadriu, klasat 6 – 9 të shkollave “Xhemail Mustafa” e “Faik Konica” do të zhvendosen në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Kurse, klasat 6 – 9 të shkollave “Shkolla e Gjelbër” e “Nazim Gafurri” do të zhvendosen në gjimnazin “Eqrem Qabej” në Prishtinë.
Dhe klasat 6 – 9 të shkollës “Model-Qamil Batalli” do të zhvendosen në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë.