
Ilustrim - Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës – 12.06.2024 Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com
Kryeqyteti njofton për bllokimin e një rruge për shkak të parakalimit të FSK-së dhe Policisë për Ditën e Pavarësisë
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se rruga “Garibaldi”, nga udhëkryqi i Bankës Qendrore deri te Hotel Grand, do të jetë e mbyllur për parkim dhe qarkullim për shkak të parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt.
Sipas njoftimit, rruga do të jetë e mbyllur më 15.02.2025, nga ora 22:00, deri më 17.02.2025, në ora 20:00.
Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama ka lutur qytetarët që të përdorin rrugë alternative dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve për mbarëvajtjen e këtij organizimi.
“Nga e shtuna, më 15 shkurt, në ora 22:00 deri më 17 shkurt në ora 20:00, rruga ‘Garibaldi’ (nga udhëkryqi i Bankës Qendrore deri te Grand Hoteli) do të jetë e mbyllur për parkim dhe qarkullim, për shkak të organizimit të parakalimit të Trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë. Ju lutemi të planifikoni lëvizjet tuaja duke përdorur rrugë alternative dhe të respektoni udhëzimet e autoriteteve për mbarëvajtjen e këtij organizimi të rëndësishëm.” – ka shkruar Komuna e Prishtinës, në Facebook, më 14.02.2025.
Më 17.02.2008, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj. Në këtë përvjetor të 17, Qeveria ka organizuar disa aktivitete.
Në ora 08:00 të 17 shkurtit 2025 pritet të fillojë mbledhja festive e Qeverisë. Më pas, në ora 8:20 pritet të bëhet ngritja e flamurit të Republikës së Kosovës.
Nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë priten të bëhen në ora 08:30, e më pas në 09:00 priten homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Në ora 09:10 priten homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, kurse në ora 10:15 planifikohen homazhe te Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nderime te Monumenti “Heroinat” priten në ora 11:45, kurse në ora 12:00 planifikohet parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Më pas, në ora 14:00, planifikohet mbajtja e koncertit të Pavarësisë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kurse pas koncertit, në ora 16:00 planifikohet Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Kjo Konferencë do të zhvillohet në amfiteatrin e Institutit të Historisë “Ali Hadri”.
Në ora 18:00 planifikohet pritje shtetërore nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i Kosovës.
Dita e Pavarësisë pritet të përfundojë me koncert solemn të Filharmonisë së Kosovës, me fillim nga ora 20:00.