Kryeqyteti nisë procedurat për themelimin e mekanizmit referues

 

“Mekanizmi referues” një grup profesionistësh i autoriteteve lokale i cili merret me parandalimin e terrorizmit dhe trajnimin e të dënuarve për terrorizëm pritet të themelohet në Prishtinë.

Grupi që në përbërje ka zyrtarë nga disa drejtori komunale, policia dhe institucionet e tjera lokale pritet të themelohet deri në fund të këtij viti, ndërsa sipas të dhënave anëtarët që pritet të bashkohen në grup kanë ndjekur trajnimet profesionale.

Strategjia nacionale kundër terrorizmit ka paraparë që në nivelin lokal komunat të themelojnë mekanizmat e tillë.

Deri më tani që nga hartimi i strategjisë së re shtetërore për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, në vitin 2023 është themeluar një mekanizëm lokal referues dhe ai është në Han të Elezit dhe ai në Mitrovicë të Jugut.

Plani i Veprimit në kuadër të strategjisë, ka paraparë në vitin 2024 në bazë të synimit të përkohshëm të jenë të themeluar 3 mekanizma në tri komuna, ndërsa deri në vitin 2025, të jenë gjashtë mekanizma.

Rezultati i këtij mekanizmi pretendohet të jetë, fuqizimi i përfshirjes dhe rolit të nivelit lokal në Riintegrimin dhe Rehabilitimin përmes krijimit të këtyre mekanizmave në nivelin lokal por edhe për të njëjtat duhet të bëhet edhe ngritja e kapaciteteve.

Ndonëse Hani i Elezit ka nisur punën në këtë mekanizëm, në kryeqytet ende nuk është themeluar një i tillë ndonëse disa nga trajnimet janë mbajtur.

“Deri më tani është formuar Mekanizmi Referues vetëm në Komunën e Hanit të Elezit, kurse trajnimet janë mbajtur për Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Prishtinën kurse planifikojmë që në fund të shtatorit të mbahet trajnimi edhe për zyrtarët e Komunave të Fushë Kosovës dhe Podujevës”- thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhënë për KALLXO.com.

MPB beson se së shpejti edhe Prishtina do të nisë me themelimin dhe formimin e ekipit të mekanizmit lokal referues.

“Trajnimi një javorë është mbajtur për zyrtarët të cilët janë caktuar nga Komuna e Prishtinës dhe tani jemi në pritje të marrjes së një vendimi për themelimin e ekipit”- thuhet tutje në përgjigjet e MPB-së deri sa shtojnë se trajnimet për zyrtarët janë mbajtur.

Për të identifikuar problemet në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë që do të kenë zyrtarët në mekanizëm, MPB thotë se ende nuk janë caktuar ato.

“Në trajnime janë shpjeguar lidhur me qasjen dhe veprimet të cilat duhen të merren nga anëtarët e ekipit”- shtojnë tutje MPB.

Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë obligim dhe detyrë që të menaxhoj ekipet meqenëse edhe strategjia re parasheh decentralizimin e kompetencave nga niveli qendror në atë lokal në lidhje me rastet të cilat identifikohen për veprimet e dhunshme, ekstremiste.

E njëjta ministri thotë se në rastet kur kanë mbajtur takime në nivel lokal në lidhje me themelimin e mekanizmave, kanë kërkuar që pjesëmarrës të jenë edhe zyrtarë të drejtorive jo vetëm drejtorët.

“Në trajnimet që kemi pasur deri më tash kemi pasur edhe drejtor komunal por edhe zyrtar komunal, kurse sa i përket pjesëmarrjes së tyre në ekipe atëherë ajo e gjitha varet nga delegimi i tyre që  bëhet nga Komunat respektive, por në takimet informuese që kemi pasur gjithmonë kemi kërkuar që pjesëmarrës në trajnim të jenë zyrtarë të drejtorive”- thotë MPB.

Në anën tjetër, nga Komuna e Prishtinës, drejtori për Emergjenca, Lulzim Fushtica ka konfirmuar se ende nuk është marrë vendimi për themelimin e grupit apo mekanizmit referues lokal.

“Nuk është marrë ky vendim ende. Në kuadër të procedurave për themelimin e grupit ne kemi mbajtur disa takime me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në këtë proces kemi mbajtur një trajnim të ofruar nga ekspertët e Britanisë së Madhe”- tha Fushtica për KALLXO.com.

Tutje ai tregoi se kush do të jetë pjesë e mekanizmit në të ardhmen kurdo që themelohet.

“Është planifikuar që në këtë grup të marrin pjesë zyrtarë nga Drejtoria e Arsimit, Shëndetësisë, Sigurisë dhe Emergjencave, Mirëqenies Sociale, Policia e Kosovës, Bashkësitë Fetare, Këshillat lokal për siguri publike”- shtoi tutje Fushtica.

Deri më tani në mungesë të mekanizmit, Fushtica nuk ka dhënë detaje nëse kanë arritur që të identifikojnë ndonjë problematikë e cila mund të ndikoj në trajtimin e rasteve nga mekanizmi referues.

Skender Perteshi, themelues i Institutit për Siguri dhe Reziliencë – Prevent, në një përgjigje për KALLXO.com tregoi rëndësinë që kanë këto mekanizma por edhe sfidat potenciale të cilat mund të identifikohen pas krijimit.

“Është shumë e rëndësishme me i pas secila komunë jo vetëm të themeluara por edhe funksionale këto mekanizma. Është sfidë se ku duhet me i vendos komuna, a me i lanë si trupa vullnetare apo si trupa lokale apo me i lanë si pjesë të MPB-së nëpër komuna, por është mirë me qenë trupë e organizuar lokale me dokumente qoftë edhe me udhëzim, por është mirë që këto mekanizma të themelohen që janë trupa komunale dhe të kenë dokumente të brendshme që rregullon mandatin, përgjegjësinë që kanë”- thotë Perteshi.

Sipas tij, edhe në Britani të Madhe meqenëse po merret si shembull krijimi i mekanizmave që janë atje, fillimisht grupi ka funksionuar si trupë vullnetare ndërsa ndërkohë është bërë pjesë e sistemit shtetëror.

“Mirëpo aktualisht është vështirë me u bo, me i bë si trupa lokale, me i ofru dokumente me i përgatitë rregulloret sepse edhe në Britani të Madhe kur janë bërë këto mekanizma referues kanë funksionuar si trupa vullnetare për disa vite kanë shërbyer ashtu e pastaj gradualisht kanë pa impaktin e këtyre mekanizmave dhe më pas i kanë vendosur si institucione publike, shtetërore, pastaj kanë pasur buxhetin e vet, zyrtarët përgjegjës”- thotë ai.

Tutje ai shtoi se komunat duhet të ofrojnë rregulloret, udhëzimet për këto trupa në mënyrë që të adresohen të gjitha problematikat.

“Në Kosovë është sfidë e madhe, sepse ka shumë komuna, niveli lokal është i stërngarkuar me sfida dhe punë tjera dhe themelimi i mekanizmave referues është barrë tjetër për ta, mirëpo, prapë se prapë duhet me u adresu, me u themelu këto trupa sepse kryejnë punë të madhe për identifikimin e hershëm të redikalizmit por jo vetëm të radikalizmit por edhe me trajtimin e rasteve në përgjithësi”- shtoi Perteshi.

Sipas tij, në komuna nuk kanë informacionet e duhura për radikalizmin por themelimi dhe adresimi i problemeve në këto trupa duhet të bëhet dhe rastet të trajtohen.

“Duhet të tentohet që jo vetëm të themelohen dhe të kryhet trajnimi bazik por në momentin që themelohet, identifikohet se kush të jetë pjesë e tyre, këto mekanizma të mirëmbahen me trajnime të paktën një herë në gjashtë muaj si dhe të freskohen të dhënat dhe të kenë një punë praktike të monitorohen se cilat janë sfidat dhe nevojat e tyre”- përfundoi ai.