Kryeprokurori Ujkani: Kontrabanda në Mitrovicë po vazhdon

Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani në një intervistë për emisionin KallxoPernime ka deklaruar se ka informacione se përkundër arrestimeve, kontrabanda në zonën e Mitrovicës po vazhdon.

“Kontrabanda po vazhdon dhe prioritet i joni është luftimi i saj. Kjo dukuri është e shprehur dhe ushqimet e kontrabanduara shpesh herë janë të skaduara e po ashtu edhe barnat e që rrezikojnë drejtpërdrejtë shëndetin e njerëzve”, ka thënë Ujkani.

Ai tha se janë duke e hetuar dhe se deri me tani ka pasur rezultate në konfiskimin e mallrave të kontrabanduara.

I pyetur nëse është në dijeni se kush po e kontrollon kontrabandën në veri, kryeprokurori tha se nuk ka ndonjë njohuri deri më tani.

“Nuk kam njohuri konkrete se kush e kontrollon kontrabandën, mirëpo ndaj kryeseve që janë zënë, janë ndërmarrë veprime ligjore dhe janë dënuar”, ka thënë kryeprokurori.

Sipas Ujkanit kontrabaduesit po vazhdojnë t’i përdorin rrugët alternative për të kontrabanduar mallrat.

Ai shtoi se në mënyrë që të ketë më shumë rezultate në luftimin e kontrabandës dhe shtrirjen e ligjit në veri të vendit, duhet një bashkëpunim më i ngushtë mes qytetarëve dhe policisë.

“Për të arrit rezultate më të mira, duhet një bashkëpunim më i ngushtë i qytetarëve me policinë, duke u ofruar atyre sigurinë e duhur”, shtoj kryeprokurori.

Ndërsa i pyetur nëse është ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me pengimin e vizitës së ish kryeministrit Albin Kurti dhe u.d. Presidentes Vjosa Osmani në veri, Ujkani tha se nuk është në dijeni nëse është vepruar diçka për këtë rast.

“Deri tash nuk kemi ndonjë informacion për ndonjë rast të hapur, nuk kam informacione”, tha kryeprokurori Ujkani.

Ismet Ujkani u zgjodh kryeprokuror i ri i Mitrovicës në dhjetor të vitit 2020.

Ai u emërua në pozitën e kreut të prokurorisë në Mitrovicë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe nuk kishte asnjë kundër kandidat për këtë pozitë.

Intervistën e plotë me kryeprokurorin Ujkani mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.