Kryeprokurori Lumezi: Vlera e drogës së konfiskuar në Lipjan është 20 milionë euro

Drejtues të Prokurorisë së Shtetit, të Policisë, të Policisë italiane, të Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë, kanë dhënë detaje në një konferencë për media rreth aksionit gjatë të cilit janë kapur rreth 400 kilogramë drogë, që dyshohet se është kokainë.

Droga kishte ardhur në Lipjan, në ish-fabrikën e “Coca-Cola”-s, përmes pikës kufitare në Vërmicë.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë operacioni ka rezultuar me konfiskimin e rreth 400 kilogramëve narkotikë në vlerë 20 milionë euro.

“Janë konfiskuar të holla, vetura e prova të nevojshme të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejmë. Kemi përdorur masa të fshehta nga masa e nisur nga Brazili për në Itali e në Durrës e më pas hyrjes në Kosovë”, tha Lumezi.

“Jemi të vetëdijshëm që rreziqet bashkëkohore të drejtësisë nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm prandaj kemi bashkëpunuar. Kjo jo vetëm që ishte sfidë për shtetin tonë”, tha Lumezi.