Kryeprokurori lëshon udhëzim për prokurorët të mos kërkojnë burimet e gazetarëve

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka lëshuar një udhëzim detyrues për të gjithë prokurorët përmes të cilit kërkon nga ta që të mos kërkojnë nga gazetarët zbulimin e burimeve të tyre.

Kjo është bërë e ditur gjatë një takim që kryeprokurori i shtetit, kishte sot me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samendin Mehmetin.

Sipas njoftimit, ky takim u mbajt për të adresuar ngjarjet e fundit lidhur me mbrojtjen e burimeve të gazetarisë nga hetimet penale.

“Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë janë të përkushtuar për të siguruar që prokuroria dhe policia të mbrojnë parimet e lirisë së shtypit dhe të respektojnë në tërësi Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, i cili mbron burimet e informacionit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit, udhëzimi detyrues për të gjithë prokurorët, i cili është lëshuar nga kryeprokurori është ndarë edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, dhe sipas udhëzimit detyrohen prokurorët që të shmangin ndërmarrjen e çfarëdo veprimi hetimor ndaj mediumeve apo gazetarëve, që në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë do t’i detyronte gazetarët apo profesionistet e tjerë të medias të zbulojnë burimet e informacionit.

“Udhëzimi gjithashtu ua rikujton prokurorëve që, sipas ligjit, gazetarët nuk mund të ndiqen penalisht në rastet kur e shfrytëzojnë të drejtën e heshtjes lidhur me burimet e tyre të informacionit. Për me tepër, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga të gjithë prokurorët që ta njoftojnë para se të ndërmarrin ndonjë veprim hetimor ndaj gazetarëve apo profesionistëve të medias”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë së Shtetit, Kryeprokurori i Shtetit dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sigurojnë publikun dhe mediat se mbrojtja e të drejtave të gazetarëve dhe profesionistëve tjerë të medias është e rëndësisë më të lartë për të dyja institucionet dhe zotohen se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme ndaj kujtdo që nuk i përmbahet këtyre parimeve.