Kryeprokurori konteston komunikatën e burgut, vetëvrasja e të burgosurit mund të konstatohet vetëm pas hetimeve

Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë ditës së sotme me anë të një njoftimi për media ka treguar se një i burgosur në Burgun e Dubravës ka kryer vetvarje.

Një konstatim i tillë zakonisht mund të përdoret pas përfundimit të hetimeve të prokurorisë e cila heton ngjarjen.

Në lidhje me këtë konstatim KALLXO.com ka kontaktuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj i cili tha se konstatimi mund të bëhet pas përfundimit të hetimeve të prokurorisë.

“Mu s’ma merr mendja, nëse vetëm e kanë shtuar edhe fjalën dyshime ajo është diçka tjetër sepse të gjitha ngjarjet janë ndryshe. Ata e kanë parë ngjarjen por a del vetvarje apo jo ajo varet e gjitha nga hetimet e prokurorisë”, ka thënë Kurmehaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër KALLXO.com ka kërkuar sqarime për ngjarjen edhe nga prokurorja e rastit Sahide Gashi.

Në disa përgjigje për KALLXO.com, sot ,rreth orës 08.30, është njoftuar fillimisht nga stacioni policor në Istog e pastaj nga DPP-Hetimet Rajonale në Pejë se një i burgosur në Qendrën Korrektuese të Burgut në  Dubravë është gjetur pa shenja jete nga gardiani kujdestar rreth orës 07.20 minuta ,në qelin e tij.

Vdekjen e të burgosurit e ka konstatuar edhe mjeku kujdesar rreth orës 7 e 40 minuta të mëngjesit.

“Pasi i kemi marr të dhënat e para nga Drejtori i Q.K Dubravë e më pastaj nga gardianët dhe policia e kësaj Qendre, sipas të cilave informata bëhet fjalë për të burgosurin E.SH., i cili ishte në vuajtje të dënimit me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti, i vendosur me kërkesë të tij në Pavijonin nr. 5, Krahu Jug 1, dhoma nr.2, i cili ka qenë vetëm në dhomë”, ka thënë prokurorja Gashi.

Tutje ajo ka dhënë detaje edhe se ka kërkuar nga stafi të mbledhin incizimet e kamerave të sigurisë.

“Korridori ku gjendej dhoma nr. 2 ishte e mbuluar me kamera dhe kemi urdhëruar stafin kompetent të kësaj Qendre që t i tërheqin incizimet nga këto kamera, duke filluar nga lëvizjet e fundit të këtij të burgosuri të dt. 06.08.2020 gjerë kur ne kemi arritur në vend ngjarje të dt. 07.08.2020, i cili Urdhër verbal do të konfirmohet edhe me shkrim nga kjo prokurori dhe gjithashtu kemi urdhëruar  tërheqjen e dokumentacionit shëndetësor të të njëjtit nga Q K Dubravë dhe është urdhëruar hetimet paraprake duke përfshirë edhe kryerja e autopsisë për të njëjtin”, ka thënë tutje prokurorja Gashi.

Prokurorja ka thënë se pas raportit të autopsisë, analizimit të raportit të forenzikës prokuroria do të marr vendim në përputhje me rezultatet e hetimeve.

Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë ditës ka njoftuar se “ i burgosuri në dhomë ishte i vetëm dhe për të kryer vetvarjen ka përdorur shtratin e tij të dhomës”.

I burgosuri në Dubravë gjendet i varur në qeli