Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, Foto: KALLXO.com

Kryeprokurori Jashari: Do t'i hetojmë të gjithë që nxisin urrejtje apo flasin për vrasje, qoftë edhe në këngë

Në një intervistë ekskluzive në “Kallxo Përnime”, kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka folur për vrasjen e Gazmend Hysenit.

Mesnatën e 28 majit, 30 vjeçari Gazmend Hyseni është vrarë ndërsa i dyshuari kryesor për ngjarjen është Qendrim Januzi, vëllai i këngëtarit Buta.

Kryeprokurori Jashari ka treguar se ka autorizuar policinë pas raportimit në media se ka pasur dërgime të mesazheve të arkivoleve pas vrasjes së Gazmend Hysenit, dhe se kanë filluar hetimet edhe për tekstet e këngëve që nxisin urrejtje apo përdoren fjalë për vrasje.

 

“Është e vërtetë se i kemi pa nëpër portale dhe kemi autorizuar policinë me i intervistu personat të cilat i kanë plasur këto mesazhe po ashtu një person i mitur dhe është intervistuar dhe nuk e di ende a ka ardhur kallëzimi penal sepse bëhet fjalë edhe për kanosje, kështu i kam autorizuar hetuesit policorë”, theksoi Jashari.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari ka treguar se kanë filluar hetimet edhe për tekstet e këngëve që nxisin urrejtje.

 “Në të gjitha këto që i kemi dëgjuar kemi marr veprime hetimore dhe jemi duke i hetuar për të gjitha rastet, unë ju siguroj që nëse eventualisht se sa i përket regjionit të Ferizajt, pavarësisht a është nëpër këngë apo kudo qoftë, nëse ka fjalë të urrejtjes, të vrasjes, fjalë që përdoren për narkotik, për trafikim ne do të marrim veprime hetimore ndaj tyre pa përjashtim kushdo qoftë me qëllim të parandalimit të eskalimit të ndonjë me të keqe”, tha kryeprokurori.