
Kryeprokurori Isufaj për Kurtin: Me thënë të vërtetën as që e kam shikuar çfarë ka thënë
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një Konferencë për media, të thirrur për të shpalosur rezultatet e Prokurorisë Speciale për vitin 2024, u përgjigj edhe në lidhje me deklarimin e kryeministrit, Albin Kurti se ftesa për të dëshmuar i ishte dërguar nga Prokuroria, me qëllim që të bëhej lajm ndërkombëtar.
“Unë s’skam asgjë me askënd dhe, me thënë të vërtetën, as nuk e kam shiku çfarë ka thënë.”- u shpreh Isufaj, më 30.12.2024.
Kurti, në një intervistë në KTV, më 29.12.2024, akuzoi Isufajn si “regjisor i kësaj situate”.
Duke mos dashur të japë përgjigje të drejtpërdrejtë rreth këtij pretendimi të kryeministrit Kurti, Isufaj tha se “të gjithë janë të barabarë para ligjit” dhe se “nuk i interesojnë deklarimet e tilla”.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është një procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e Drejtësisë. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve publike – përfshirë Qeverinë – të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e Drejtësisë.”- u shpreh ai.
Insistimit të gazetarëve për të marrë qëndrim rreth “akuzave dhe kritikave” të bëra nga Kurti, Isufaj iu përgjigj shkurt: “Nuk jam këtu për të komentuar deklarata të askujt se fare nuk më interesojnë. Po flas për atë që unë ndiej se duhet bërë.”- theksoi Isufaj.
Ai theksoi se Sistemi Prokurorial nuk është për të bërë skenare.
“Ne punën e kemi të përcaktuar me Ligj e Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita apo emri. Unë nuk kam informacione se dikush është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit, ndoshta mund të ketë, por unë nuk di.”- shtoi ai.
Tutje, Isufaj potencoi se “deklaratat denigruese dhe fyerjet publike ndaj Prokurorëve, jo vetëm që minojnë Sistemin e Drejtësisë, por edhe cenojnë besimin e publikut në sundim të ligjit”.
Ai, madje, përmendi edhe aktakuzat e ngritura për ish-Ministra si shembull se “nuk janë selektiv”.
“Aktualisht kemi të ngritura aktakuza për 5 ish-Ministra. Nuk kemi asnjë për Ministrat aktual. I kemi të hudhura 17 kallëzime penale, për Ministrat aktual në detyrë. Unë nuk di cili është argumenti më i madh që tregon se nuk punojmë në mënyrë selektive, se fare nuk na intereson ajo punë. Ne punojmë në bazë të provave dhe ligjit. Kjo nuk do thotë se në të ardhmen nuk do ketë aktakuza ndaj Ministrave në detyrë.”- tha Kryeprokurori.
Në një deklarim në emisionin “Rrjedha”, më 29.12.2024, Kryeministri i Kosovës tha se nuk i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë Speciale për dëshmi në rastin e rezervave shtetërore, pasi, sipas tij, kryeprokurori, Blerim Isufaj dëshiron që me ato pamje të bëjë lajm ndërkombëtar.
“Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që Kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi.” – tha Kurti.
Kryeministri theksoi se ai guxon t’u thotë Prokurorëve “S’po vij” për intervistim.
“Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them ‘S’po vij’, te shohim tash a guxojnë ata të vijnë.” – tha Kurti.
Prokuroria Speciale ka përcjellur dy ftesa në adresë të kryeministrit, Albin Kurti, për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Ndërkaq, Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese – duke ritheksuar gatishmërinë e Kryeministrit që t’i mirëpresë Prokurorët në Zyrën e tij për intervistim.
Ndonëse, ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri, Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar, të hënën, më 16.12.2024, në ora 09:30. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur me arsyetimin se “Kryeministri është në vizitë jashtë vendit”.
Kryeministri Kurti është thirrur si dëshmitar në lëndën “PPS.nr.62/2023”, në një rast që ka të bëjë me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Numri i lëndës që gjendet në thirrjen dërguar Kryeministrit – të publikuar nga Kryeziu – përputhet me atë të rastit të rezervave shtetërore, ku të pandehur janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.
Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar, më 18.08.2023, nën dyshimin për veprat “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Kurti për ftesën e Prokurorisë për intervistim: Qëllimi është që të bëhem lajm ndërkombëtar