Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi brenda lokalit - 31.08.2021 - FOTO KALLXO

Kryeprokurori i Shtetit pi kafe brenda lokalit edhe pse masat e ndalojnë - VIDEO

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është parë duke pirë kafe brenda hapësirave të një lokali, në qendër të Prishtinës.

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës, që kanë hyrë në fuqi që nga dita e djeshme, e ndalojnë veprimtarinë e gastronomisë, brenda hapësirave të mbyllura.

Lumezi është parë duke qëndruar brenda një lokali, ndërkohë në të njëjtin lokal kishte edhe shumë njerëz të tjerë që po qëndronin.

I pyetur nga gazetari i KALLXO.com, pse ka qëndruar brenda hapësirave të lokalit, Lumezi u përgjigj duke thënë se kishte edhe njerëz të tjerë aty.

“Vallahi, pat plotë aty, edhe ne si të tjerët..”, tha Lumezi.

Ndërsa i pyetur se a ka qenë në dijeni se nuk i lejohet qëndrimi brenda lokalit, Lumezi tha se nuk e ka pyetur askënd se a lejohet.

“Aty pat plotë njerëz, ne u ulëm..nuk i vetëm a lejohet a nuk lejohet..”.

Kurse i pyetur, se a është dashtë që të lajmërohet Policia, pasi brenda lokalit kishte shumë njerëz, Lumezi u arsyetua duke thënë se ‘nuk është organ që i mbikëqyr masat.

“Pse me e lajmëru policinë. Ne nuk jemi organ që e thirrim policinë..janë inspektoriati e organet tjera që i mbikëqyrin masat.. prokuroria nuk e shikon a zbatohet vendimi apo jo”, ka thënë Lumezi.

Nga data 30 gusht, deri më 13 shtator Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja më të ashpra, anti-COVID-19. Pika Gj, për Gastronominë, të vendimit të Qeverisë, thuhet se ndalohen shërbimet në gastronomi, brenda hapësirave të mbyllura.

“Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i  jo më shumë se 70 % e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas IKShPK-së, vetëm në 24 orët e fundit, janë shënuar 26 raste të reja të vdekjes nga virusi COVID-19, e 1,383 raste të infektimit.