Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale: Vrasjen në Gllogjan po e trajton Prokuroria e Pejës

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë në një bisedë të shkurtër përmes telefonit për KALLXO.com se rastin e vrasjes së trefishtë në fshatin Gllogjan po e trajton Prokuroria e Pejës.

Ai nuk dha detaje në lidhje me praninë e tij të premten në mbrëmje në vendin e ngjarjes dhe ndonjë hetim të mundshëm nga ana e Prokurorisë Speciale.

“Kjo ka qenë në vikend, sepse ende nuk dihet, ata në Pejë e kanë rastin për momentin dhe nuk mund të komentoj kurrgjë më shumë”, tha shkurt Isufaj për KALLXO.com.

Mbrëmjen e së premtes pas informacioneve të para të ngjarjes tragjike që kishte ndodhur në Gllogjan, në vend të ngjarjes dolën eprorë të shumtë të institucioneve të drejtësisë e sigurisë.

Në këtë rast nuk munguan as drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në natën kritike, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, pati komentuar edhe dyshimet se rasti mund të jetë akt terrorist.

Po atë natë, Isufaj tha se ishte herët që të definohet se për çka saktësisht bëhej fjalë.

“Siç e tha edhe drejtori, aktualisht nuk mund të definojmë saktë se për çka bëhet fjalë, ne po punojmë intensivisht për me i identifiku personin apo personat që mund të jenë të involvuar në këtë rast, po punojmë maksimalisht me të gjitha kapacitetet që kemi dhe jemi shumë të bindur që rezultatet nuk do të mungojnë. Aktualisht nuk mund të themi asgjë më tepër”, pati thënë të premten në orët e vona kryeprokurori Isufaj.

Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme, kryeministri Albin Kurti pas varrimit të nxënësve që mbetën të vrarë pas gjuajtjes me Kallashnikov në drejtim të autobusit, tha se nuk kanë arritur ende që të kenë një emër apo disa që lidhen me rastin tragjik.

Madje kryeministri Kurti dhe Policia e Kosovës kanë ofruar 20 mijë euro për personin që ka informacione në lidhje me personin apo personat që kryen vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

Dy nxënës dhe shoferi i një autobusi mbetën të vdekur si pasojë e plagëve të marra nga gjuajtja me armë në drejtim të autobusit.

Një nxënës tjetër ka mbetur i plagosur.

KALLXO.com raportoi se në drejtim të autobusit nuk ishte zbrazur një karikator ashtu siç ishte deklaruar prokurorja e rastit Sahide Gashi.

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, dje i konfirmoi për KALLXO.com se janë shkrepur disa plumba.

Karikatori i një Kallashnikovi mban 30 plumba. Informacionet e KALLXO.com tregojnë në vend ngjarje janë gjetur më pak se 10 gëzhoja të plumbave që janë gjuajtur në drejtim të autobusit i cili nga Gjakova destinacion kishte Gllogjanin.