Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale takohet me shefin e EULEX-it

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka zhvilluar takim me  shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, kryeprokurori Isufaj e ka njoftuar shefin e EULEX-it me punën, të arriturat, sfidat dhe objektivat e Prokurorisë Speciale.

“Nga ardhja e kryprokurorit Isufaj në krye të këtij institucioni, përpos Departamentit për Krime Lufte që ka ekzistuar, ka themeluar edhe Departamentin për Krim të Organizuar dhe krime tjera në kompetencë të PSRK, Departamentin për Terrorizëm dhe Departamentin për Korrupsion dhe Krim Financiar, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit në kryerjen e lëndëve nga prokurorët, si dhe ka caktuar prokurorët për secilin department”, thuhet në njoftim.

Tutje,  shefi i EULEX-it Wigemark ka thënë se misioni që ai udhëheq do të mbështësë Prokurorinë në promovimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Po ashtu, Wigemark ka thënë se bashkëpunimi i përmirësuar midis Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës është thelbësor në hapat e mëtejshëm për të forcuar koordinimin midis zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit në drejtim të shkëmbimit të informatave të cilat janë gjithmonë të mirëseardhur”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

.