Foto: Prokuroria Speciale e Kosovës

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, priti homologun malazias, diskutuan për forcim të bashkëpunimit

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka pritur sot në takim Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, Vlademir Novoviq së bashku me shefin e stafit të kësaj Prokurorie, Milan Dakiq.

Isufaj e ka njoftuar homologun malazias për funksionimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në realizimin e misionit për sundim të ligjit.

Ai ka theksuar se sfidë kryesore e Prokurorisë Speciale mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimit ndërkufitar, krimeve të luftës dhe sigurimi i kushteve adekuate për funksionimin sa më të mirë të kësaj Prokurorie.

Në njoftim thuhet se të pranishmit kanë diskutuar edhe për nevojën e shkëmbimit të eksperiencave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes të dy prokurorive përkatëse, për luftimin efikas të krimeve, të cilat kryhen në dy shtetet përkatëse.

“Ata kanë vlerësuar lartë bashkëpunimin që ekziston në mes të prokurorive të këtyre dy vendeve, duke theksuar dhe shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit, sidomos në luftimin e krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe terrorizmit”- thuhet në njoftim.

Në këtë takim Kryeprokurori Isufaj ishte i shoqëruar nga u.d. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku.