Kryeprokurori i Pejës: Polici që dje u gjet i vdekur edhe në të kaluarën kishte tentuar të vetëvritej

Në emisionin “Kallxo Pernime” kryeprokruroi i Pejës, Agim Kurmehaj, ka folur ndër të tjera edhe për dy vdekjet e dyshimta, të cilat ndodhën dje në Pejë.

Kurmehaj dha detaje nga hetimet fillestare të këtyre dy rasteve.

Në lidhje me rastin e Istogut, ku u gjet një trup i pajetë, kryeprokurori deklaroi se trupi i tij është dërguar për obduksion ku edhe do të mësohen shkaqet e vdekjes.

“Dje kanë ndodhur dy raste. Rasti i parë në Istog ku një person është gjetur pa shenja jete. Prokurori kujdestar ka bë kërkesën për obdukim, ku do të mësohen shkaqet e vdekjes ndërsa rasti i dytë është në Vitomericë të Pejës ku një pjesëtar i Policisë dyshohet se ka kryer vetëvrasje”, tha Kurmehaj.

Ai dha detaje në lidhje me versionet e para të vetëvrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës.

Sipas tij në lidhje me këtë rast dyshimet e para janë se i njëjti ka varur veten.

“Nga ana e prokurorit kujdestar dhe Policisë dyshimet e para janë se i njëjti  është vetëvrarë”, tha kryeprokurori.

Ai shtoi se ky pjesëtar i Policisë edhe në të kaluarën ka tentuar të vetëvritej.

“Ky pjesëtar ka pasë probleme edhe në të kaluarën pasi me armën e tij zyrtare ka tentuar ta vrasë veten. Herën e parë e ka pasë lanë një letër lamtumirëse dhe i ka pasur disa probleme familjare si dhe si duket disa probleme psikike”, shtoi ai.

Dje gjatë ditës në rajonin e Pejës u raportua për dy vdekje të dyshimta.

Rasti i parë u raportua në komunën e Istogut ku një person u gjet pa shenja jete ndërsa pak orë më vonë u raportua edhe për vdekjen e një zyrtari policor në Pejë.

Dy vdekje të dyshimta për 24 orë në rajonin e Pejës