Ilustrim

Kryeprokurori i Mitrovicës: Jemi duke ndërmarrë veprime pas informacioneve për shpenzim të rrymës për bitcion në veri

Ismet Ujkani, kryeprokurori i ri i Mitrovicës ka thënë se janë duke hetuar shpenzimin e madh të rrymës që po bëhet për prodhimin e monedhës virtuale bitcoin në Mitrovicën Veriore.

Ujkani deklaroi se kanë informacione se po bëhet një shpenzim i madh i rrymës në këtë pjesë për të prodhuar monedha virtuale dhe se janë në proces të identifikimit të personave që dyshohet se po merren me këtë veprimtari.

“Ka informacione se po bëhet shpenzim i madh i rrymës në veri për Bitcoin, kemi kontaktuar me policinë dhe janë në identifikim e sipër personat që po merren me këtë veprimtari”, tha kryeprokurori.

Ai shtoi se ka vështirësi në zbatimin e këtyre hetimeve pasi po kërkohet edhe një procesverbal nga ana e KEDS-it.

“Sa i përket veprimit të KEDS-it, tani për tani nuk ka mundësi me marr veprime, mirëpo kemi vështirësi pasi për me bo identifikimin përpos policisë kërkohet një procesverbal nga ana e KEDS-it”, tha ai.

Gjatë vitit 2017 KALLXO.com pati raportuar se qytetaret në veri të vendit për 18 vite nuk e paguajna rrymën.

Fakti se nuk po paguhet rryma mund të ketë ndikuar që në këtë zonë të vendosen makineri të cilat shpenzojnë sasi të madhe të rrymës për të prodhuar monedha virtuale.

E në lidhje më këtë çështje kryeprokurori deklaroi se shumë shpejtë pritet të ndërmerren aksione policore pasi të identifikohen personat që po merren me këtë veprimtari.

Ismet Ujkani u zgjodh kryeprokuror i ri i Mitrovicës në dhjetor të vitit 2020.

Ai u emërua në pozitën e kreut të prokurorisë në Mitrovicë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe nuk kishte asnjë kundër kandidat për këtë pozitë.

Intervistën e plotë me kryeprokurorin Ujkani mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.