Kryeprokurori i Gjakovës ia dërgoi gabimisht gazetares së KALLXO.com pyetjet e testit të konkursit, flet kryetari i komisionit vlerësues

Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, mëngjesin e sotëm gabimisht disa pyetje që kanë qenë pjesë e testit me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë ia ka dërguar ekipit të KALLXO.com.

Xhemajl Qelaj, kryetar i komisionit vlerësues në konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë në një bisedë për KALLXO.com ka shpjeguar se pyetjet për testin e mbajtur sot janë përpiluar rreth orës 10:00 të mëngjesit.

Pyetjet me temat e ngjashme si ato në test i janë dërguar gazetares së KALLXO.com në orën 11:25.

“Pyetjet janë përpiluar sot rreth orës 10:00. Janë përpiluar prej anëtarëve dhe kryetarit të komisionit”, thotë Qelaj.

Qelaj konfirmoi për KALLXO.com se kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, nuk ka qenë pjesë e përpilimit të testit për bashkëpunëtorët profesionalë.

Qalaj u informua nga ekipi i KALLXO.com në lidhje me pyetjet e Buzhalës që gabimisht i ka dërguar te gazetarja e KALLXO.com.

“Nuk e di, më besoni, asnjë send nuk e di për këtë çështje”, u përgjigj shkurt Qalaj në një biesedë me KALLXO.com.

Tutje, i njëjti konfirmoi se pyetjet e dërguara nga kryeprokurori Buzhala te gazetarja e KALLXO.com ishin edhe pjesë të testit të sotëm.

“Po, këto që m’i përmende, disa që po i mbaj mend kanë qenë pjesë e testit”, konfirmoi Qalaj.

Ai nuk mohoi se pyetjet kanë pasur mundësinë të rrjedhin edhe nga anëtarët e komisionit.

“Ndoshta, ka mundësi, nuk e di”, përfundoi bisedën Qalaj, i cili shprehet se rasti duhet të trajtohet deri në fund.

Dyshime se Kryeprokurori i Gjakovës shpërndau pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë – VIDEO

Aplikantët pranojnë se iu nënshtruan testimit për bashkëpunëtorë profesional me disa prej pyetjeve që i shpërndau kryeprokurori Buzhala