Qendra Emergjente, QKUK. Foto: Kallxo.com

Kryeprokurori i Ferizajt tregon se a është intervistuar i dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit

30 vjeçari G. H. është vrarë me armë zjarri mesnatën e mbrëmshme në Ferizaj. I dyshuari për këtë vrasje, Q. J., është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi i njëjti është plagosur nga arma zyrtare e një polici i cili kishte ndërhyrë për ta arrestuar të dyshuarin.

Q. J. ende nuk është intervistuar nga Prokuroria, pasi i njëjti nuk ka pranuar të deklarohet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari.

Kryeprokurori Jashari ka thënë se prokurori ka shkuar në QKUK për ta intervistuar, por se i dyshuari Q. J. nuk ka pranuar të deklarohet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

“I dyshuari nuk është intervistuar, e kemi mbajt seancën dëgjimore në spital në Qendrën Klinike Universitare, mirëpo nuk është intervistuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Me vet faktin që nuk është deklaru gjendja e tij nuk është e mirë, nuk është e rëndë, por nuk ka pasur mundësi të deklarohet për shkak të ngjarjes”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H.

Në po këtë dosje thuhet se i dyshuari “me dashje dhe me parapërgatitje ka qëlluar me armë zjarri shtatë herë” duke e lënë kështu të vdekur viktimën.

Dosja e Prokurorisë: Djegja e makinës së Butës, motivi i vrasjes së 30 vjeçarit në Ferizaj