Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeprokurori deklarohet për fletëvotimin që u gjet në oborr të një shkolle në Prizren

(Artikulli i përditësuar – 18:20)

Në njërën prej qendrave më të mëdha në komunën e Podujevës, në shkollën e mesme “Fan Noli” është parë një interesim më i lartë i qytetarëve për të votuar.

Menaxheri i kësaj qendre të votimit, i cili është edhe drejtor i shkollës tha se deri në ora 18:00 kanë votuar mbi 40 për qind e të regjistruarave me të drejtë vote.

“Deri në ora 18:00 kanë votuar 42.8 për qind apo 1 mijë 785 votues, pra është në rritje prej herave të kaluara”, tha Fatmir Emini, menaxher i qendër për KALLXO.com.

Sipas Eminit gjatë gjithë ditës procesi i votimit ka shkruar pa ndonjë parregullsi.

 

(Artikulli i përditësuar – 17:23)

KALLXO.com sot gjatë ditës ka hasur në një fletëvotim të dyshimtë jashtë shkollës “Abdyl Frashëri” në Prizren.

Në një deklaratë për KALLXO.com, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala tha se me marrjen e informacionit kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe sipas raportimeve bëhet fjalë për fletëvotim pa vulë, jo origjinal.

“Sapo e kemi marr informacionin e kemi autorizuar Policinë për verifikim, informacioni ka qenë se është gjetur një fletëvotim në oborr të shkollës. Sipas të dhënave të para, ai fletëvotim është pa vulë, nuk është origjinal, më shumë ka të bëjë me ato hezitimet e qytetarëve se si duhet votuar, nuk ka ndonjë dyshim tjetër”, ka thënë Shala.

Ai shtoi se po tentojnë të kontaktojnë me qytetarin se përse e ka marrë atë fletëvotim, pasi në bazë të pamjeve të siguruara nga policia, shihet se dikujt i bie nga xhepi.

“Ne e kemi siguruar atë fletëvotim dhe nuk ka dyshim nga kush sepse ka rënë nga gjepi i një qytetari aty dhe po tentojmë të kontaktojmë atë qytetarë se përse e ka mbajtue atë fletëvotim. Pamjet e kamerave është duke i siguruar policia sepse ekzistojnë incizimet dhe shihet qartë që dikujt i bie nga xhepi”, shtoi tutje Shala.

Prokuroria në Prizren nis të mbledhë informacione për fletëvotimin që u gjet në oborr të shkollës

(Artikulli i përditësuar – 17:02)

Në qendrën më të madhe të votimit në komunën e Podujevës janë parë policë brenda hapësirës me persona të tjerë duke pirë cigare në korridore të shkollës.

Drejtori i kësaj shkolle i cili është edhe menaxher i kësaj qendra tha se do të angazhohet që mos të lejohen të ndodhin këto shkelej. Ndërsa, tha se nuk mund të mohoj që persona të caktuar mund t’i shkelin rregullat.

“Nuk lejohet në asnjë mënyrë madhe ekzistojnë edhe shenjat nëpër mure që e ndalojnë. Nuk e përjashtoj mundësinë që dikush mund t’i shkelë rregullat. Ne i kemi edhe ndihmës menaxheret që janë të shpërndarë nëpër qendër të monitoruar situatën”, deklaroi për KALLXO.com Fehmi Zeqiri.

“Policët janë të stacionuar në qoshe për shkak të motit të ftoftë ku nuk pengojnë qytetarët. Do të interesohem edhe me ndihmësit e mi për të parë”, tha ai.

(Artikulli i përditësuar – 17:00)

Dy persona janë arrestuar sot në Malishevë në qendrën e votimit në gjimnazin “Hamdi Berisha” nën dyshimin për shitje të votës.

Kjo është konfirmuar nga Policia e rajonit të Gjakovës për KALLXO.com.

Sipas policisë, personat e arrestuar janë në ndalim 48 orë dhe kanë qenë një vëzhgues dhe  një komisioner

“Në lidhje me dyshimet për shitje të votës në gjimnazin “Hamdi Berisha” dy persona janë ndaluar, pra është një vëzhgues dhe një komisioner të cilët më urdhër të prokurorit janë në ndalim 48 orë”, tha Lumni Graishta nga Policia e Kosovës për KALLXO.com.

(Artikulli i përditësuar – 16:55)

Një qytetar në Junik është shoqëruar në Polici nën dyshimin se ka fotografuar fletëvotimin.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Polica është njoftuar nga qendra e votimit në Junik që një votues gjatë votimit e ka fotografuar fletëvotimin, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, është intervistuar nga hetuesit rajonal dhe prokurori dhe më pas është konstatuar nga ana e prokurorit të shtetit se nuk ka elemente të veprës penale dhe është liruar”, tha ai.

(Artikulli i përditësuar – 16:23)

Lidhur me incidentin në qendrën e votimit në fshatin Turjakë të Malishevës, ku pati një përplasje në mes të komisionerëve të Nismës dhe LVV-së, menaxheri i kësaj qendre  nuk ka pranuar të flasë para kamerave.

Menaxheri i qendrës, Agron Zogaj, ka refuzuar të flasë para kamerës për Kallxo.com në lidhje me rastin e raportuar më herët, pasi sipas nuk është e arsyeshme të flas për këtë rast.

“Rasti ka ndodhe brenda votimit unë s`mundem me dhënë detaje për diçka që ka ndodhe atje. Edhe s’ka qenë rast po një votues kur ka ardh te vendi i votimit e ka marrë me vrull fletën edhe është ndërprerë votimi për 5 minuta edhe se shoh të arsyeshme me fol për këtë para kamerës”, ka deklaruar Zogaj.

Vëzhguesi i LVV-së në këtë fshat, Tafil Kastrati ka thënë për KALLXO.com se persona të afërt me Nismën po bëjnë presin tek votuesit.

“Prej hapjes së vendvotimit në Turjakë, strukturat e Nismës na kane bërë preson si neve brenda vendvotimit, ashtu edhe votuesve jashtë”, tha Kastrati.

Mirëpo, akuzat e vëzhguesit të VV në Turjakë se zyrtarë të Nismës kanë qëndruar në hapësirat e kësaj shkolle dhe po bëjnë presion tek votuesit, kandidati i Nismës, Ekrem Kastrati i ka mohuar këto akuza.

“Nuk kam informacione se ka ndodhë diçka e tillë nëse familja ime ka qëndruar në ato hapësira apo nëse asamblistët kanë qëndruar atje sepse ne nuk jemi të interesuar ta prishim procesin fare sepse jemi të ndershëm”, tha Kastrati për kallxo.com.

(Artikulli i përditësuar – 15:34)

Malishevë, prokuroria po heton dyshimet për shitjen e votës

Në fshatin Turjakë të Malishevës në vendvotimin në shkollën “Fehmi Agani” dyshohet se është tentuar të shitet një votë.

Sipas Lumni Graishta nga Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës, në lidhje me këtë rast është duke u marrë Prokuroria.

“Është një rast që është ka merret prokurori, ende s`kemi detaje, deklaruesi ka informata që është tentu me u shit vota dhe prokurori po merret me këtë rast”, tha ai për Kallxo.com

KALLXO.com pak më parë raportoi se në të njëjtën qendër të votimit ka ndodhur një fjalosje në mes të komisionerëve të angazhuar në zgjedhje.

Fjalosje në mes të komisionerëve në Turjakë të Malishevës (VIDEO)

(Artikulli i përditësuar – 13:53)

Në qendrën e votimit në Poturovc të Lipjanit me numër 1327e, një zyrtar policor ka kërkuar kartelën e vëzhguesit nga njëra prej vëzhguesve të organizatës BIRN, me arsyetimin se i duhet të bëjë nje raport.

Veprimi i  policit është  lejuar edhe nga menaxheri i qendrës, drejtori i shkollës Enver Fazliu.

Zyrtari policor ka thënë se e kanë për detyrë tëe bëjnë raport për të treguar se çfarë kanë bëtë gjatë ditës.

Ai u shpreh se të dhënat e vëzhgueses se BIRN, nuk do t’i dërgojë në Hagë, duke ironizuar me vëzhguesit.

“Unë isha duke ngrënë ushqim dhe këtë punë për raport e përfundova këtu sepse nuk mund ta kryej jashtë. Raporti kërkohet prej çdo zyrtari policor në fund të ndërrimit me kallxu çka ka bërë, kush ka qenë në monitorim. Nëse ti je këtu zyrtarisht, unë nuk ko me të çu ty në Hagë, duhet me kuptu ti këtë sen, kanë ardh të OSBE dhe kushdo që vjen e kam për detyrë me ia marr emrin dhe me cek në raport” ka deklaruar zyrtari policor në këtë qendër votimi.

Kurse, menaxheri i qendrës, Enver Fazliu tha se në këtë rast ai nuk ka kërkuar ndihmë nga zyrtari policor, por se polici ka marr të dhëna edhe nga vëzhguesit paraprak.

“Zyrtari ishte duke ngrenë bukë. Unë hyra aty që mos me i marr të dhënat në korridor. Ai (polici) kur m pa duke i shënu tha ‘kush janë këta’, unë i thash kështu-kështu, ishin një organizatë vëzhguese. Pastaj ai doli e shfrytëzoi rastin. Ai ka mundur edhe jashtë me të ndalë kur ke qenë t`u hy brenda, sepse nëse je monitoruese vëzhguese, apo anëtare s`mundesh më me dal jashtë, për ketë arsye”, tha ai duke shtuar se polici i ka ndalë edhe monitoruesit nga OSBE dhe të tjerët dhe i ka kontrolluar dhe i ka shënuar në raport të dhënat e tyre.

 

(Artikulli i përditësuar – 13:18)

Simbole të partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë parë në disa vende të komunës së Gjilanit.
KALLXO.com ka siguruar disa fotografi ku shihet një veturë në afërsi të shkollës “Abaz Ajeti”, e cila përmban simbole të LDK-së.
Gjithashtu nga fotot që ka siguruar KALLXO.com, shihen një numër veturash nëpër qytet të cilat përmbajnë postera dhe simbole tjera të së njëjtës parti.

Kandidati serb ne veri voton me gojën e mbuluar me “stiker”

Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare “Srpski Opstanak” (Mbijetesa Serbe), Aleksandar Arsenijeviq, ka tërhequr vëmendjen sot kur ka shkuar në qendrën e votimit për të votuar për zgjedhjet lokale.

Ai ka votuar në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut.

Siç raporton Kossev, Arsenijeviq së bashku me një votues tjetër kanë shkuar aty me gojën e mbëdhtjellë jo me maskë por me një shirit ngjitës mbi të cilin shkruante “Stiker”, si protestë ndaj marrëveshjes së arritur dy javë më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që elementet shtetërore të targave të automjeteve nga Serbia që hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas të mbulohen me stiker.

Në Kosovë sot po mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

(Artikulli i përditësuar – 12:49)

Një zyrtar policor është parë brenda qendrës së votimit numër 1301X, përkatësisht në Gjimnazin ‘Ulpiana’ në Lipjan.

Polici ka qëndruar në pjesën e sigurimit të shkollës, brenda kabinës.

Ndërkaq, menaxheri i kësaj qendre të votimit, Idriz Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se është në dijeni që nuk lejohet prezenca e policisë brenda qendrës së votimit/shkollës.

“E di, ne e kemi pas këtë temë edhe brenda KQZ. Por polici po qëndron në një vend ku nuk e pengon procesin e votimit, por për shkak të kohës që iu bie me qëndru shumë në këmbë. E dimë që ligjërisht duhet me qenë jashtë, por është në nje vend ku nuk pengon, po e shihni hapësirën”, tha ai.

 

(Artikulli i përditësuar – 12:47)

Të shumtë janë qytetarët të cilët janë parë pa maska e të cilët kanë hyrë brenda vendvotimeve të ndryshme në qytete të Kosovës.

Të njëjtit kanë hyrë dhe dalë nga vendvotimet dhe nuk janë penguar nga askush.

Qytetarë pa maska janë parë në shkollën “11 Marsi” në Prizren.

KALLXO.com ka arritur që të siguroj fotografi të qytetarëve të cilët nuk kanë respektuar masën për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke vendosur maskën.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Pejë. Kandidati i LDK-së Gazmend Muhaxheri ka hyrë brenda vendvotimit, ka votuar dhe ka dalë nga aty pa vendosur në asnjë moment maskën mbrojtëse kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Më poshtë u sjellim fotografi nga vendvotimet ku janë parë qytetarët pa maska.

 

Në 2017 numri i votuesve ishte më i lartë se në këto zgjedhje

(Artikulli i përditësuar – 12:30)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 11:00, kanë votuar 152 mijë votues apo 8.2% prej 1 milion e 885 mijë e 448 e qytetarëve që kanë të drejtë vote.

Ndërkaq në të njëjtën kohë në zgjedhjet lokale të vitit 2017, sipas KQZ-së kishin votuar 10.34% e votuesve apo 195 mijë e 473 votues.

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Vendvotimet hapen në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Një komisioner kapet duke pirë duhan në koridorin e qendrës së votimit në Prizren (FOTO)

(Artikulli i përditësuar – 12:27)

Një person është fotografuar duke konsumuar cigare brenda ambientit të shkollës “11 Marsi 2021”.

Ky person është komisioner në këtë qendër të votimit.

Komisioneri ka dalë nga klasa ku ka qenë i angazhuar dhe në koridorin e katit të dytë ka ndezur cigaren.

Konsumimi i duhanit brenda ambienteve të mbyllura është i ndaluar me ligj.

Foto: KALLXO.com

(Artikulli është përditësuar – 12:14)

Dosja e parregullsive deri në orën 11:00

Kryetari i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi përmes një konference për media ka bërë të ditur numrin e incidenteve të procesit zgjedhor.

Radoniqi ka thënë se deri tani janë gjashtë raste më të cilat po merret Policia dhe Prokuroria.

Rasti i parë është raportuar nga një qytetarë në shkollën “Ando Zako Çajupi” në Prishtinë, i cili ka deklaruar se nuk e ka gjetur emrin e tij në qendrën e votimit, por që pas verifikimit votuesi është njoftuar për saktësinë e listës votuese.

Një rast tjetër është raportuar në Klinë ku në një objekt shkollor nuk ka pasur energji elektrike.

Rasti i tretë u raportua në shkollën “Staja Markoviq”në Shtërpcë, ku vëzhgues nga subjekti politik Lista Serbe kanë qëndruar në numër të shtuar në qendrën e votimit.

Rast tjetër u raportua në gjimnazin “Jeta e re” në Suharekë, ku një qytetar ka hezituar t’i nënshtrohet kontrollit ultraviolet duke dëmtuar aparatin dhe ID-së e vëzhguesit.

Po ashtu një qytetar nga komuna e Ranillukut ka votuar në mënyrë të parregullt.

Ai tutje njoftoi edhe për statistikat e pjesëmarrësve në votim gjatë ditës së sotme deri në orën 11:30.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencë për media foli për procesin e votimin në Mitrovicë të Veriut.

“Deri më tani më Mitrovicën e Veriut ka shkuar çdo gjë në rregull, nuk ka te raportuar ndonjë incident apo parregullsi dhe shpresoj që të mbetet deri në fund ashtu”, tha Radoniqi.

KQZ tregon se sa qytetarë votuan deri në orën 11:00

(Artikulli është përditësuar – 11:51)

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi përmes një konference për media ka njoftuar se deri më tani në Kosovë kanë votuar mbi 150 mijë qytetarë.

“Procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë incident. Numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:30 janë 152 mijë votues. Nuk ka statistika për të burgosurit se sa kanë votuar deri më tani”, ka thënë Radoniqi.

Shoqërohet në polici qytetari nga Gjilani për fotografim të votës

(Artikulli është përditësuar – 11:34)

Sot në orët e para të drekës në shkollën “Selami Hallaqi” në Gjilan është ndaluar një person për fotografim të votës.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Lidhur me rastin, Prokurori kujdestar, Agron Uka për KALLXO.com deklaroi se personi nuk është arrestuar, vetëm është shoqëruar në polici.

“Nuk ka arrestim, një person është shoqëruar në stacionin policor për fotografim të votës, i njëjti pastaj është liruar në procedurë të rregullt”, ka thënë Uka.

Arrestohet një person për pengim të procesit të votimit

(Artikulli është përditësuar – 11:17)

Me urdhër të prokurorit të shtetit, Policia ka ndaluar një person në komunën e Suharekës për pengim të procesit të votimit.

Prokuroria ka njoftuar se i dyshuari ka penguar procesin e votimit duke prishur rendin dhe qetësinë dhe më pas e ka thyer dritën fluoreshente.

Me urdhër të prokurorit i njëjti është në ndalim.

(Artikulli është përditësuar – 11:06)

Gjilan, proteston qytetari me nevoja të veçanta, nuk i është siguruar qasje në vendvotim

Avdyl Ibishi, një person me nevoja të veçanta nga Gjilani, ka hasur në vështirësi për të votuar në qendrën e votimit në shkollën “Abaz Ajeti”. Kjo pasi që vendvotimi i tij ndodhet në katin e dytë të ndërtesës.

“Jo vetëm këtu tek shkolla “Abaz Ajeti”, por edhe në pjesë më të madhe të qytetit këtu në komunën e Gjilanit është shumë e vështirë për një person me aftësi të kufizuara me qarkullu”, është shprehur Ibishi.
Pasi ka hyrë në shkollë ku ai edhe e ka qendrën ku voton, Ibishi ka marrë informacione nga komisionerët se vendvotimi i tij ndodhet në katin e dytë.

Komisionerët që kontrollonin se në cilën klasë duhet të votojnë qytetarët i thanë atij se e vetmja mënyrë që ai mund të ushtrojë të drejtën e votës është të votojë me kusht në katin e parë të ndërtesës.

Kur Ibishi u drejtua për te salla ku bëhej votimi me kusht, ai hasi në shkallë ku nuk kishte ndonjë shteg të veçantë që ai të kalonte me karrocë dhe përsëri hasi në vështirësi për të votuar, raporton RTV Dukagjini.

Drejtori i shkollës ka thënë se personat me nevoja të veçanta duhet t’i asistojnë asistentët e qendrave të votimit në mënyrë që ai të ketë qasje në vendvotim.

Mirëpo Ibishi nuk ka pranuar që të asistohet nga askush dhe sipas tij shteti duhej t’i bënte qasje në vendvotim.

“Kërkoj nga Policia e Kosovës që në vend të ngjarjes të vijë prokurori i shtetit. Kjo është shkelje, ky është krim”, ka thënë Avdyl Ibishi.

Duke mos pranuar ndihmën nga vëzhguesit për të votuar, Ibishi është shprehur se për 365 ditë pune që ai bën nuk ka pranuar asistencën e askujt.

“Unë punoj 30 ditë në muaj, 365 ditë në vit, pa asistencën e askujt. Për një ditë dhe për një votë të tyre me më marrë dikush në krah me më bajtë nuk pranoj”, ka deklaruar Ibishi.

Sfidën e njëjtë Ibishi e kishte përjetuar edhe në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, kur e kishte pasur të pamundur të shkonte në katin e dytë për të votuar.

“Kam pritë afër dy orë e gjysmë, jo vetëm unë por kanë qenë edhe një person tjetër me aftësi të kufizuara dhe kemi pritë por nuk ka pasur zgjidhje. Fundi I fundit jemi kthy dhe nuk kemi votu”, ka thënë ai.

(Artikulli është përditësuar – 10:54)

Abdixhiku: Nuk ka gjë më të mirë se kur qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ushtroi të drejtën e votës në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Ai para mediave tha se sot është festë pasi vendimmarrjen e kemi nga ana e qytetarëve.

Abdixhiku po ashtu uroi 41 mijë votuesit e rinj që po ushtrojnë të drejtën e votës për herë të parë.

“Sot ushtrova të drejtën bazike demokratike, që është vota, dhe sot është festë sepse vendimmarrjen e kemi prej qytetarëve tanë. Ska gjë më të mirë se sa kur qytetarët vendosin për të ardhmen e tyre. Uroj që kjo ditë të kaloj sa më mirë dhe dua t’i uroj 41 mijë votuesit që për herë të parë ushtrojnë këtë të drejtë”, tha Abdixhiku.

(Artikulli është përditësuar – 10:24)

Albin Kurti: Qytetarët sot vendosin se kush do të vendosë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e votës. Ai ka votuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Ai para mediave deklaroi se sot qytetarët zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë në katër vitet e ardhshme.

Kurti tutje u bëri thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim që të shfrytëzojnë mundësinë për të votuar.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Si qytetar i Republikës dhe si banor i kryeqytetit ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira dhe demokratike. Qytetarët e Kosovës sot vendosin se kush do të vendosë, pra përcaktojnë se kush do jenë përfaqësuesit e tyre. I inkurajoj të gjithë qytetarët pas dallim që ta shfrytëzojnë këtë moment barazie që t’i përdorin mundësitë e barabarta që i kanë sot”, tha Kurti

Tutje Kurti potencoi se si kryeministër do punojë dhe bashkëpunojë ngushtë për fuqizim të komunave.

(Artikulli është përditësuar – 10:12)

Memli Krasniqi: Shpresoj që kjo do jetë ditë e mirë për demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën “Hasan Prishtina” në kryeqytet.

Ai para mediave u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kandidatët më të mirë.

Krasniqi tutje theksoi se shpreson që kjo të jetë një ditë e mirë për demokracinë.

“Shpresoj që të gjithë qytetarët do ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kandidatët më të mirë. Zgjedhjet janë për qytetarë dhe pjesëmarrja sa më e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratikë. Shpresoj që kjo do jetë një ditë e mirë për demokracinë”, ka deklaruar Krasniqi.

(Artikulli është përditësuar – 10:01)

Arrestohen katër persona për blerje të votës

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përmes një njoftimi bënë të ditur se mbrëmë më 16 tetor 2021 në orët e vona janë arrestuar katër persona në Kllokot, me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., nën dyshim për blerje të votës.

Në njoftim theksohet se dyshohet që këta persona kanë kryer veprat penale – cenim i përcaktimit të lirë të votuesve dhe -dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin.

Katër të dyshuarit e arrestuar me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Vendvotimet hapen në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

(Artikulli është përditësuar – 09:47)

Uran Ismaili: Ftoj të gjithë të rinjtë e të moshuarit e Prishtinës të votojnë

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, votoi në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Ai para mediave deklaroi se mezi po e pret rezultatin e natës së sotme dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të ushtrojnë të drejtën e tyre.

“E konsideroj tepër të rëndësishme  këtë garë prandaj i ftoj të gjithë të rinjtë e të moshuarit e Prishtinës që të dalin dhe me votën e tyre të zgjedhin kryetarin e Komunës”, ka thënë Ismaili.

Kandidatët në garë për Prishtinën janë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.

(Artikulli është përditësuar – 09:37)

Vitia pas votimit fton qytetarët për pjesëmarrje masive në zgjedhje

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e LVV-së, Arben Vitia, ka ushtruar të drejtën e votës në Shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Vitia u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më shumë në procesin e zgjedhjeve.

“Pas një fushate të gjatë dhe fer nga kandidatët sot është një ditë e rëndësishme jo vetëm për demokracinë por edhe për jetët tona. Sot flasin qytetarët dhe është e rëndësishme që me verdiktin e tyre të zgjedhin atë që mendojnë. I ftoj të dalin sa më masivisht sepse sa më shumë ka pjesëmarrje aq më i madh është verdikti të cilit i nënshtrohemi ne”, tha Vitia.

Kandidatët në garë për Prishtinën janë Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.

(Artikulli është përditësuar – 09:13)

Ramush Haradinaj pas votimit: Votoni, mos e lini votën në shtëpi!

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hradinaj, ushtroi të drejtën e votës në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës pasi qeverisja komunale, sipas tij, është shumë e rëndësishme për jetën tonë.

“Të gjithë shfrytëzoni të drejtën e të votoni, unë votova, qeverisja komunale është shumë e rëndësishme për jetën tuaj, votoni mos e lini votën në shtëpi. Na priftë e mbara Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

(Artikulli është përditësuar – 09:00)

KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Sipas, tij numri i qendrave ku ka nisur votimi është 883 në gjithsej 2,477 vendvotime.

“Sipas planifikimeve në orën shtatë janë hapur të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës. Numri i qendrave të votimit është 883 në gjithsej 2,477 vendvotime”, tha Elezi.

Ai shtoi se këto janë zgjedhjet e shtata me radhë për kuvende komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

“Sot po mbahen zgjedhjet lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave. Zgjedhjet po mbahen për të zgjedhur 38 kryetarë de 1,002 anëtarë të Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidateve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 5 mijë e 366 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë e 198 për kandidatë të Kuvendeve Komunale”, shtoi tutje Elezi.

Elezi tutje potencoi se nuk ka të dhëna lidhur me numrin e personave me COVID-19 që duan të jenë pjesë e votimit.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

(Artikulli është përditësuar – 08:23)

Voton Rakiq, fton qytetarët të votojnë

Në Mitrovicën e Veriut rreth orës 8:00 ka votuar kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në një prononcim për media, Rakiq u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar dhe ka uruar që gjithçka të shkojë mirë në këto zgjedhje.

Gjatë votimit, Rakiq ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij por edhe një numër i madh i votuesve.

(Artikulli është përditësuar – 07:23)

Hapen vendvotimet, kryetari i KQZ-së apelon të shfrytëzohet e drejta për të votuar

Në ora 7:00 në Kosovë ka nisur votimi për zgjedhjet të cilët do të nxjerrin kryetarët dhe asamblistët e 38 komunave.

Ndër të parët që ka votuar është kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Ai ka votuar në Pejë.

Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Gjithashtu ai ftoi partitë politike dhe këshillat e vendvotimeve që të kontribuojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e sotme është 5,364, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,198 kandidatë për kuvende komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

(Artikulli është përditësuar – 06:35)

Kosova voton, zgjidhen kryetarët dhe asamblistët e 38 komunave

Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet lokale, në të cilat do të zgjidhen kryetarët e 38 komunave dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.

Këto janë zgjedhjet e shtata për kuvendet komunale dhe të pestat për kryetarë të komunave.

Vendvotimet hapen në ora 7:00 dhe mbyllen në ora 19:00.

Numri i qendrave të votimit në gjithë Kosovën është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e sotme është 5,364, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5,198 kandidatë për kuvende komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për zgjedhjet e sotme janë të regjistruar 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18-vjeç pas datës 14 shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.

KQZ ka njoftuar se numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021 është 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve është 1 mijë e 158 votues.

Për të votuar, qytetari duhet të ketë njërin prej këtyre dokumenteve të vlefshme të identifikimit: Letërnjoftim, pasaportë, dokument i udhëtimit dhe patentë shofer.

Si të plotësohet fletëvotimi?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar se në zgjedhjet e sotme në vendvotim votuesi do të marrë dy fletëvotime:

Fletëvotimin për kryetar komune, i cili është me kornizë ngjyrë të verdhë, ku janë të renditur emrat e kandidatëve, dhe votuesi duhet të votojë vetëm një kandidat/e;

Fletëvotimin për kuvend komunal, i cili është me kornizë ngjyrë të kaltër, në anën e majtë, votuesi voton vetëm një subjekt politik, kurse në anën e djathtë të tij voton vetëm një kandidat/e.

Pra, për kuvend komunal votuesi voton vetëm një subjekt politik dhe vetëm një kandidat/e.