Kryeparlamentarja kritikon RTK-1 për transmetim në serbisht, sqarohet televizioni

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani sot në Kuvend dha vërejtje se minutat e para të seancës së sotme në RTK1 janë dhënë në gjuhën serbe.

“Njoftoheni që RTK1 duhet ta transmetoj seancën në shqip dhe vetëm shqip. RTK2 dhe të tjerat janë për gjuhë të komuniteteve jo shumicë. Do ta konfirmojmë vërejtjen që e morra por megjithatë do ta bëjë si vërejtje publike”, tha Osmania.

Pas kësaj, RTK ka reaguar duke sqaruar se gjatë ditës së sotme një pjesë e fillimit të seancës rreth 1 minut është transmetuar bashkë me përkthim në gjuhën serbe, për shkaqe teknike.

Radio Televizioni i Kosovës ka sqaruar opinionin publik se nuk e prodhon sinjalin por e merr atë të gatshëm nga Kuvendi, dhe vetëm e bën transmetimin.

“Kanalet e audios janë të fiksuara dhe në këtë rast në Kuvend mund të jetë ndërruar kanali i audios dhe është transmetuar me përkthim deri sa ka intervenuar inxhinieri kujdestar për ta rregulluar atë.  Pra, kemi të bëjmë me një proces teknik, i cili nuk varet plotësisht nga stafi i RTK-së”, është thënë në sqarim.