Kryeparlamentari turk uron Glauk Konjufcën
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se kryetari Glauk Konjufca ka pranuar urime për zgjedhjen e tij në këtë detyrë, nga homologu i tij nga Turqia, Mustafa Şentop.
Në telegramin e urimit, sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari turk ka theksuar se beson që do të zhvillohet bashkëpunimi mes dy parlamenteve me qëllim të rritjes së marrëdhënieve bilaterale.
“Me këtë rast, shpreh urimet e mia për shëndetin dhe lumturinë tuaj, ndërsa popullit të Kosovës i uroj paqe dhe prosperitet”, thuhet mes tjerash në telegram.
Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës me 26 dhjetor të 2019-s.
Ai këto ditë ka pranuar urime edhe nga homologë të shteteve të tjera.
Telegrami i plotë i kryetarit të Kuvendit të Turqisë, Mustafa Şentop:
I nderuari kryetar,
Homologu im i çmuar,
Në emrin tim personal dhe të anëtarëve të Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë, thellësisht ju uroj për zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Unë besoj plotësisht se bashkëpunimi midis parlamenteve tona do të zhvillohet me kontributet e vlefshme të Shkëlqesisë Suaj në periudhën e ardhshme, me qëllim të rritjes së marrëdhënieve tona bilaterale dhe forcimit të dialogut midis popujve tanë.
Me këtë rast, shpreh urimet e mia për shëndetin dhe lumturinë tuaj, ndërsa popullit të Kosovës i uroj paqe dhe prosperitet.