
Kadri Veseli - Foto: KALLXO.com
Kryeparlamentari nënshkroi Ligjin për Prishtinën
29.5.2018 - 13:16
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nënshkruar sot Ligjin për Prishtinën, duke përmbushur kështu përgjegjësinë kushtetuese e ligjore.
Ligji për Prishtinën u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 17 maj 2018, me 61 vota pro dhe 1 abstenim. Ky Ligj, po ashtu, njeh edhe Prizrenin si kryeqytet Historik të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli, pas miratimit të Ligjit, pat deklaruar se me të ndihmohet zhvillimi i Prishtinës, me më shumë buxhet dhe kompetenca.
Pas nënshkrimit të Ligjit për Kryeqytetin nga ana e Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ai duhet të dekretohet edhe nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në afat prej 8 ditësh, për t’u shpallur më pas në Gazetën Zyrtare që nënkupton edhe hyrjen e tij në fuqi.