Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeparlamentari Konjufca uron qytetarët në ditën e Kushtetutës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e ditës së Kushtetutës.

“Kushtetuta është akti themeltar dhe bazamenti ligjor suprem – është vetë shteti. Duke qenë normë supreme, Kushtetuta ka mision parësor ruajtjen e vlerave themelore demokratike, sigurimin e stabilitetit dhe forcimin e drejtësisë”, thuhet në urimin e Konjufcës.

Në urimin e tij, Konjufca ka kujtuar rrugëtimin historik të Kosovës deri te shpallja e pavarësisë.

“Si popull kemi rrugëtuar me shekuj, brez pas brezi, drejt gjakimeve dhe synimeve tona për shtet të mëvetësishëm. Rrugëtimi ynë për të arritur deri te dita e sotme ishte i vështirë dhe përplot dhembje. Por nuk u dorëzuam asnjëherë, sepse ishim në të drejtën tonë, konform vlerave demokratike për liri e pavarësi”, ka shkruar tutje ai.