Kryeparlamentari Konjufca priti në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sor në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Sipas komunikate të Kuvendit, të pranishëm në takim ishin edhe nënkryetarja Saranda Bogujevci, ambasadori Skënder Durmishi, këshilltarët e Konjufcës si dhe bashkëpunëtorët e presidentit Meta.

“Kreu i Kuvendit dhe presidenti Meta shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, ecurinë e proceseve integruese dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve përballë proceseve që kanë përpara vendet tona”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim bëhet e ditur se Konjufca i shprehu mirënjohje presidentit Meta për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës jo vetëm si president i Shqipërisë dhe i dëshiruar suksese në angazhimet e ardhshme.

Më tej, presidenti Meta ka falënderuar Konjufcën për pritjen dhe vuri në pah, siç thuhet në komunikatë, sukseset e arritura së bashku dhe nevojën e një bashkëpunimi sa më të ngushtë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë sa më shumë, t’i fuqizojmë sa më parë marrëveshjet e ndërsjella dhe të mos krijojmë debate të panevojshme”, ka thënë Meta.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka nisur sot vizitën zyrtare në Kosovë. Ai në një seancë të veçantë të Kuvendit të Kosovës u është drejtuar deputetëve.