Foto: Kuvendi i Kosovës

Kryeparlamentari Konjufca fton afaristët gjermanë të investojnë në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me një grup të afaristëve të Gjermanisë, të cilët janë duke qëndruar për vizitë në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur Kuvendi i Kosovës përmes një njoftimi.

Sipas këtij njoftimi, teksa kreu i Parlamentit ka përmendur ndihmën që Kosovës i është ofruar nga Gjermania gjatë luftës së vitit 1999. Ai gjithashtu ka kërkuar rritjen e partneritetit mes këtyre dy vendeve për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Papunësia në Kosovë tradicionalisht ka pasur një përqindje bukur të lartë. Pikërisht për këtë arsye edhe migrimi është shumë i madh. Është e domosdoshme për ne që të krijojmë vende të punës në Kosovë, por për ta arritur këtë është i nevojshëm absorbimi i investimeve në vendin tonë, prandaj ju shohim si partnerë shumë të rëndësishëm”, njoftohet të ketë thënë kryeparlamentari Konjufca.

Në këtë ngjarje njoftohet të ketë qenë pjesmarrëse edhe Kryesuesja e delegacionit të afaristëve gjermanë, Sarna Roser.

Sipas këtij njoftimi, kjo e fundit është shprehur pozitive për përparimin e Kosovës në aspektin ekonomik duke thënë se kjo vizitë do të nxisë afaristët e rinj që të investojnë në Kosovë.

“Ajo shtoi se gjatë vizitës do të takohen edhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe përfaqësues të bizneseve kosovare, për të parë mundësitë e investimeve në Kosovë” thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Temë tjetër e therksuar nga Konjufca raportohet të ketë qenë edhe nevoja e shteteve demokratike për të qëndruar të bashkuar që të tejkalohen krizat e shkaktuara nga agresioni i Rusisë në Ukrainë.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë po tregon se në vitet e ardhshme e gjithë bota do të përballet me një krizë e cila do ta prekë edhe vendin tonë, por së bashku do ta kalojmë çdo sfidë”, njoftohet të ketë thënë Konjufca.

Nga ky njoftim është bërë e ditur se pjesë e këtij takimi ishte edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.