Kryeparlamentarët e Ballkanit Perëndimor thirrje BE-së për ndihmë në luftimin e coronavirusit

Kryetarët e Parlamenteve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përmes një letre të përbashkët, i janë drejtuar Bashkimit Evropian për t’i kërkuar ndihmë në luftimin e pandemisë së coronavirusit.

Në këtë kërkesë përafqësuesit e institucioneve, thonë se janë të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës aktuale dhe të problemeve me të cilat përballen si rezultat i pandemisë me COVID-19, dhe se kjo kërkesë  synon të theksojë situatën aktuale shumë të pafavorshme dhe sfidat që e shoqërojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ndaj, kërkojmë që Ballkani Perëndimor, i cili gjithmonë qartazi dhe pa mëdyshje ka theksuar se i përket familjes evropiane, të përjashtohet nga vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që, përmes ndarjes së eksperiencës dhe furnizimit me pajisjet e nevojshme dhe aparatet mjekësore, të bëhet pjesë e Përgjigjes së Përbashkët Evropiane për sa i përket luftës ndaj pandemisë COVID-19”, thuhet në këtë adresim.

Mes tjerash, përfaqësuesit i kanë bërë thirrje BE-së të marrin disa masa.

“Të konsideroni përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE+ skemën e autorizimit të eksportit; mundësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor, nëse është e domosdoshme, të bëhet pjesë e Marrëveshjeve të Përbashkëta të Prokurimit Publik për Kundërmasat Mjekësore për të marrë pjesë kështu në prokurimin e përbashkët të pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse për të luftuar pandeminë COVID-19; shqyrtimin e mundësisë për lejimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor të ridestinojë fondet ekzistuese nga Instrumenti për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA II) për të luftuar pandeminë COVID-19, si dhe për të përdorur të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga fondet ndryshme të BE-së për këtë qëllim”, janë kërkesat.

Kërkesa i është drejtuar presidenit të Parlamentit Evropian, David Sassoli dhe presidents së Komisionit Evropian, nga Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit të Kosovës, Gramoz Ruçi kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Denis Zvizdiç kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë dhe Hercegovinës, Dragan Çoviç kryetar i Dhomës së Popujve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë dhe Hercegovinës, Ivan Brajovic kryetar i Parlamentit të Malit të Zi, Talat Xhaferi kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Maja Gojkoviq kryetare e Kuvendit Nacional të Republikës së Serbisë.