Foto: KALLXO.com

Kryeministrja serbe largohet nga Kosova

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka përfunduar vizitën e saj në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe është kthyer në Serbi.

Bërnabiq u largua nga Kosova përmes pikës kufitare në Jarinjë.

Ajo gjatë ditës vizitoi tri nga komunat me shumicë serbe në Kosovë, Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Gjatë kohës sa ajo qëndroi në Kosovë targat e veturave të eskortës së saj në pjesën e simboleve shtetërore të Serbisë ishin të mbuluara me letër ngjitëse, në përputhje me marrëveshjen mes dy vendeve që parasheh mbulimin e simboleve shtetërore kur kalojnë në territorin e tjetrit vend.

Bërnabiq gjatë gjithë kohës ka qenë nën vëzhgimin e forcave të shtuara të sigurisë, përfshirë këtu edhe njësinë e mbrojtjes së afërt të Kosovës.

Kjo është vizita e parë zyrtare që Bërnabiq ka bërë në Kosovë.