Kryeministrja e Serbisë të hënën viziton Mitrovicën e Veriut

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, të hënën do ta vizitojë Mitrovicën e Veriut, raporton Kossev.info

Bërnabiq do ta fillojë vizitën njëditore në Mitrovicë të Veriut, e shoqëruar nga drejtori i  të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’, Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje, Mihail Jovanoviq.

Kjo është edhe vizita e saj e parë zyrtare në Kosovë, prej se është bërë kryeministre e Serbisë.

Kryeministrja e  Serbisë do arrijë në Mitrovicë të Veriut në mëngjes, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri si dhe Akademinë Shpirtërore.

Pas kësaj, siç është paralajmëruar, është paraparë vizita e saj në manastirin e Banjskës në komunën e Zveçanit.

Bërnabiq më pas do të vizitojë familjen në vështirësi sociale të vëllezërve Radosavljeviq në Leposaviq, të cilët zyrtarisht janë duke u zhvendosur në shtëpinë e re, e cila është ndërtuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë.

Vizitën e saj në komunën e Leposaviqit, siç ishte paralajmëruar, kryeministrja do ta përfundojë me një xhiro nëpër ferma familjare, thuhet tutje në raportimin e Kossev.

Në deklaratën e të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’, theksohet se vizita e kryeministres serbe është paralajmëruar dje, më 1 shtator, 72 orë para vizitës, në përputhje me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare.

“Vizita e kryeministres së Republikës së Serbisë, Ana Bernabiq, në Kosovë dhe Metohi ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ku rruga e vetme për të arritur mbijetesën e serbëve në Kosovë. dhe Metohi” – thuhet në njoftim.