Kryeministrja e Serbisë: Dialogu me Kosovën, sfida më e madhe politike

Në Parlamentin e Serbisë sot do të votohet sot Qeveria e re e cila do të ketë 21 ministri, dhe dy ministra pa portofol, kurse Qeveria do të ketë 11 gra.

Kandidatët për ministra pas paraqitjes të programit qeverisës, do të bëjnë betimin, me çka kabineti i Ana Bërnabiqit e fillon mandatin e ri.

Seanca e sotme ka vetëm një pikë të rendit të ditës, zgjedhjen e qeverisë dhe betimi i kryeministres dhe anëtarëve të qeverisë.

Mandatarja për formimin e qeverisë së re që pritet të jetë Ana Brnabiq ka paraqitur para deputetëve prioritet e Qeverisë dhe emrat e propozuar për Ministra.

Duke folur rreth dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës, ajo tha se Qeveria nuk do të heqë dorë nga këmbëngulja për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Qeveria e re e Serbisë do të vazhdojë të ndjekë një politikë të mbrojtjes së interesave jetësore kombëtare, paqes dhe bashkëpunimit, me synimin për të mbrojtur popullin tonë, trashëgiminë kulturore, por edhe paqen dhe stabilitetin në rajon,” tha Ana Brnabiq.

Ajo deklaroi se dialogu është sfida më e madhe për stabilitetin e rajonit dhe se Qeveria do të koordinojë të gjitha lëvizjet e saj në detaje me Presidentin Vuçiq dhe përfaqësuesit e popullit serb në Kosovë, “sepse uniteti kombëtar është përparësia jonë absolute”.

Nga emrat për Ministra të ri, Aleksandar Vulin, do të jetë Ministër i Punëve të Brendshme, dhe ndër të paktët që mbetet në Qeveri nga ministrat e kaluar.

Kryediplomati i ri i Serbisë do të jetë Nikolla Sellakoviq, Ministër i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq, Zorana Mihajloviq do të jetë Ministre e Energjisë, ndërsa Sinisha Malli dhe Zllatibor Lonçar do të qëndrojnë në resoret e tyre – financa dhe shëndetësi.

Në qeverinë e re është edhe kryetarja e deritanishme e Parlamentit, Maja Gojkoviq, si ministre e Kulturës.

Ish-kryediplomati Ivica Daçiq që është edhe kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, ishte zgjedhur kryetar i Parlamentit serb.

Qeveria e re e Serbisë do të ketë një mandat të kufizuar, jo më gjatë se deri më 3 prill të vitit 2022, kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, njoftoi më herët presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.