Protestat me kërkesën për dorëheqje të kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, Pamje nga një video e AP-së
Kryeministrja e Bangladeshit arratiset pas dorëheqjes
Kryeministrja e Bangladeshit, Shikh Hasina, ka dhënë dorëheqje dhe është larguar nga vendi pas protestave antiqeveritare, ku mbetën të vdekur qindra persona, raporton BBC. Raportohet se ajo dhe motra e saj janë marrë me një helikopter ushtarak për shkaqe sigurie. Ende nuk dihet vendndodhja e Hasinas – mendohet të ketë marrë udhë drejt Indisë.
Turma të mëdha protestuesish çanë muret e sigurisë dhe u futën të hënën në pallatin zyrtar qeveritar në Daka, pavarësisht vënies së orës policore dhe ndaljes së internetit dhe valëve të celularëve.
Së paku 90 persona janë vrarë të dielën në përleshjet ndërmjet policisë dhe protestuesve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të personave të vdekur si pasojë e dhunës në mbi 300. Kjo konsiderohet një prej gjakderdhjeve më të mëdha të shtetit aziatik prej pavarësimit të tij më 1971. Protestat studentore nisën në korrik me thirrjen për heqjen e kuotave të punësimit në shërbimin civil, por rezultuan me kërkesa për dorëheqje të Hasinas pas më shumë se dy dekadash në pushtet.
Hasina ka thënë se protestuesit të cilët janë përfshirë në “sabotazh” dhe shkatërrim më nuk do të konsiderohen studentë, por kriminelë. Ajo ka thënë gjithashtu njerëzit duhet të përballen me ta duar të hekurta.
Partia në pushtet Lidhja Avami ka thënë se kërkesa për dorëheqjen e saj ka treguar se protestuesit janë organizuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Nacionaliste e Bangladeshit dhe partia tashmë e ndaluar “Jammat-e-Islami”.
Së paku 11 mijë persona janë arrestuar në javët e fundit. Trazirat rezultuan edhe me mbylljen e shkollave dhe universiteteve të mbarë vendin, dhe në një moment autoritetet vunë orë policorë që ua lejonte forcave të rendit vrasjen e kujtdo që nuk do të respektonte urdhrin për të mos dalë jashtë shtëpive./BBC
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com