Kryeministri spanjoll flet për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë se qeveria spanjolle mendon se pavarësia e Kosovës e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në një konferencë për media bashkë me homologun e tij shqiptar, Sanchez ka thënë se edhe pse miq në mes vete, Shqipëria dhe Spanja kanë dallimet e veta.

“Unë mendoj se miqtë e mirë, siç është Shqipëria dhe Spanja mund të kenë edhe ndryshimet e veta. Dhe ne këtë gjë e kemi, sepse ne mendojmë që një deklaratë e një anshme për pavarësi, ky është opinioni i qeverisë spanjolle. Ne mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij praninmi dhe këtë e themi me gjithë respketin që e kemi për popullin shqiptar. Është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare”, tha kryeministri spanjoll kur u pyet për çështjen e Kosovës.

Por, tutje Sanchez tha se ky mendim i qeverisë spanjolle, nuk do të thotë që ata nuk e përkrahin dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Por kjo nuk do të thotë që në kuadrin evropian të mos jemi në përkrahje të punës së përfaqësuesve të juaj dhe nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për tu afruar ndaj BE-së. Ky është pozicioni i qeverisë së Spanjës, me gjithë respektin që kam për ju, por edhe miqtë mund të kenë kontradikta në mes vete”, dekraloi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Pavarësinë e Kosovës deri më tani e kanë njohur 117 shtete.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kishe deklaruar se Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Spanja është në mesin e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur ende as Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.