Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e Kuvendit të Shqipërisë, 20.12.2024, Foto: Antigona Isufi/KALLXO.com

Kryeministri Rama: Për çudinë time askush në këtë sallë nuk ka nisur rezolutë kundër Gjykatës Speciale

Me zë të lartë u drejtua, kryeministri Edi Rama në seancën e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës e atij të Shqipërisë, kur përmendi fatin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Rama tha se çuditet që askush në Kuvendin e Kosovës nuk ka nisur një rezolutë kundër Gjykatës Speciale, duke kërkuar që një gjë e tillë të bëhet. Ai tha se do i bashkoheshin kësaj nisme.

“Unë nuk rri dot pa ju thënë pa çudinë time, që në këtë sallë nuk është marrë asnjë nismë që të bëhet një rezolutë kundër asaj gjykate [Gjykatës Speciale]”- tha Rama në mbledhjen e përbashkët mes dy kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë, më 20.12.2024.

 

Rama duke folur për rrugën europiane, tha se Shqipëria dhe Kosova nuk mund të nisen për integrimin në BE, përderisa në Hagë ish-krerët gjenden në një proces gjyqësor.

“Nëse do ta nxjerr Kuvendi i Kosovës një rezolutë të tillë, Partia Socialiste rezolutën e nxjerrë në Kuvendin e Kosovës ta deponoj në Kuvendin e Shqipërisë”- tha Rama.

Rama shtoi se një çështje e tillë nuk mund të lihet në heshtjen shurdhuese. 

“Që ajo gjë [Gjykata Speciale] nëse është gjë ta bëj dëmin e saj deri në fund. Kuvendi i Kosovës ta marr një nismë kundër kësaj Gjykate”- tha ai.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në këtë seancë i pranishëm është edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kjo është hera e dytë që Kuvendet e dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët. Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit shqiptar për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11.2022.

Ndërsa, mbledhja e përbashkët e dy Qeverive, e planifikuar për 14.06.2023, ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë para se mbledhja të mbahej.

Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.

Mbledhja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur më 20.06.2022.