Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeministri për zgjedhjen e presidentit: Strategjia dalëse për situatën është Kushtetuta

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se strategjia e vetme për të dalë nga situata lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm është Kushtetuta e Kosovës.

Hoti shtoi se nëse nuk ka konsensus për këtë temë, shkohet në zgjedhje të reja.

“Strategjia dalëse prej kësaj situate nuk besoj që do të ndërtohet nga ekspertët. Strategjia për të dalë nga kjo situatë është Kushtetuta e vendit. Janë dy rrugë: Ka konsensus për zgjedhje të presidentit, mirë. Nuk ka konsensus, shkojmë në zgjedhje. Nuk ka nevojë për ndërtim të kurrëfarë qasjeje a strategjie të re. Ne po presim, kemi bërë kërkesë disa herë. Jemi duke bërë përpjekje që t’i bëjmë partitë politike bashkë në një tryezë për të parë vullnetin e tyre për të tejkaluar këtë situatë”, tha ai

Hoti tha se bën ftesë që të tregohet maturi shtetërore në këtë rast.

“Atë që unë bëj ftesë, edhe sot që të tregojmë maturitetin e nevojshëm shtetëror për të tejkaluar situatën, gjithmonë në përputhje me Kushtetutën”, tha ai në konferencë për media.

KALLXO.com ka raportuar se Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë datë konkrete se kur pritet të mbahet tryeza me partitë politike vendore për të diskutuar për çështjen e presidentit të ardhshëm.

Pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, nga 5 nëntori i këtij viti detyrën e presidentit është duke e ushtruar kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më shumë se gjashtë muaj.