Kryeministri në detyrë viziton Brezovicën

Kryeministri në detyrë Avdulah Hoti ka vizituar bashkë më bashkëpunëtorët e tij Brezovicën për të promovuar turizmin malor.

Hoti, tha se u ka dhënë mbështetje edhe Federatës së Skiatorëve.

“E patëm një bisedë të mirë me disa prej tyre për kushtet që janë këtu dhe nevojat që i ka kjo qendër për ta kthy në qendër skijimi ndërkombëtare. Kemi hy në disa projekte të mëdha prej marrëveshjes së Washingtonit. Pres që gjatë këtij viti ta konkretizojmë investimin në këtë qendër bashkë me investitor amerikan”, tha Hoti.

Arban Abrashi Ministër në detyrë i Infrastrukturës tha se e kanë prezantuar edhe projektin e Brezovicës në marrëveshjen e Washingtonit.

“Shpresojmë se ky vit do të jetë vit i konkretizimit apo fillimit të projektit që nënkupton investime mbi 60 milionë euro duke përfshi infrastrukturën, teleferikun, impiantet e ujërave të zeza dhe gjithcka tjetër të nevojshme”, tha ai.

Vlora Dumoshi Ministre e Kulturës në detyrë tha se në planin e LDK-së i kanë parapa 100 fshatrat turistike dhe kjo sipas saj shpejtë do të prezantohet ditëve në vijim.

“Do të reflektoj në sport turizëm që reflekton në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha ajo.

Edhe shoqata e skiatorëve shpreson se premtimet e kryeministrit do të realizohen.

Kryeministri Hoti i ka përmbyllur fjalimet duke thënë se objektet që janë në kuadër të AKP-së nga java e ardhshme pritet të kalojnë në pronësi të qeverisë.

Gjithashtu sipas Hotit, bashkë me federatën e skiatorëve, do të organizohen që përmes shkollave nxënësit të thirren për trajnim për skijim.