Kryeministri Kurti zhvillon bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot ka pasur një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Kurti ka thënë se me Blinken ka folur për nevojën për intensifikimin e procesit të dialogut me Serbinë.

“Pata një bisedë shumë të mirë telefonike me Sekretarin Blinken. E informova atë lidhur me progresin e vazhdueshëm në Kosovë. Folëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë si dhe nevojën për intensifikimin e procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër” – ka thënë Kurti.

 

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar në lidhje me iniciativën franko-gjermane për procesin e dialogut.

Kurti ka konfirmuar ekzistencën e një iniciative të tillë dhe ka shtuar se në takimin e 18 gushtit ka propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut.

“Unë kam propozuar kornizën e përgjithshme të dialogut, ka një iniciativë franko-gjermane e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi zotit Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane” – ka thënë Kurti para gazetarëve gjatë një vizite në Gjilan.