Kryeministri Kurti vizitë Doganës, njoftohet për zbatimin e reciprocitetit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të MEPTINIS, Rozeta Hajdari dhe ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, kanë vizituar Doganën e Kosovës.

Ata janë pritur nga u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Ibrahim Xhaka dhe bashkëpunëtorit e tij.

Në këtë takim, Xhaka i ka njoftuar ministriat dhe kryeministrin Kurti për punën e Doganave pas situatës së krijuar nga coronavirusi si dhe zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Në njoftimin të lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se sipas raporteve të Doganave, ky vendim është duke u zbatuar në përpikëri që nga dita e hyrjes në fuqi.

“Kryeministri në detyrë, Kurti ritheksoi se reciprociteti buron nga parimi i barazisë, dhe se me vendimin e Qeverisë për masat e para të reciprocitetit po zbatojmë reciprocitet gradual, derisa njëkohësisht po ndërtojmë gradualisht kapacitetet për zbatim efikas të tyre. Ai falënderoi Doganat për punën e tyre dhe bashkëpunimin me ministritë e linjës, si dhe iu uroi punë të mbarë”, thuhet në komuniktaë.

Më 1 prill qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë.