Kryeministri Kurti uron Distria Krasniqin: Kosova është krenare!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar xhudisten Distria Krasniqi, e cila ka kaluar në pozitën e parë në ranglistën botërore të xhudos, në kategorinë deri 52 kilogramë.

Përmes një postimi në Twitter, kryeministri Kurti është shprehur se gratë që garojnë në xhudo e kanë nderuar Kosovën me medaljen e parë të artë olimpike.

“Urime Distria Krasniqit për renditjen e para sipas Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (kategoria deri në 52 kg). Gratë që garojnë në xhudo e kanë nderuar vendin me medaljen e parë të artë olimpike dhe vazhdojnë të sfidojnë shanset si atletë lider në botë”- ka shkruar Kurti.

“Kosova është krenare!” – ka përmbyllur ai.

Sipas, Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Distria Krasniqi ka mbledhur 7 mijë e 275 pikë.

Krasniqi po ashtu i ka sjellë Kosovës medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.