Kryeministri Albin Kurti dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, më 29.10.2024. Foto: ZKM
Kryeministri Kurti u takua me përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë, diskutuan disa çështje
Kafjallin e sotëm kryeministri Albin Kurti e ka ngrënë bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në rezidencën e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ata kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe për bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe çështjet aktuale.
Teksa ka uruar për suksesin e Samitit të Berlinit, Kurti ka përmendur edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që u lidhën në këtë samit.
Kurti ka përmendur edhe rëndësinë për të punuar që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizje të lirë me ID, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që lejon qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 01.01.2025.
“Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim” – thuhet në komunikatë.
Qeveria ka ndryshuar masën e sigurisë për mallrat serbe, nga “kufizim” siç ka qenë deri më tani, në “kontroll të shtuar”, më 07.10.2024.
Kurti kishte paralajmëruar se kjo masë është ndryshuar deri sa të vijnë skanerët e teknologjisë së lartë, që pritet të vijnë nga autoritetet gjermane.