Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, më 13.08.2024. Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kryeministri Kurti u takua me komandantin e KFOR-it, biseduan për Urën e Ibrit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, me të cilin kanë biseduar për Urën e Ibrit, të cilën Qeveria po synon ta hapë.

KFOR-i pati thënë në mes të korrikut se çdo vendim rreth urës duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zyra e Kryeministrit tha përmes një komunikate se Kurti ka njoftuar komandantin e KFOR-it lidhur me punët që po zhvillohen në urë dhe rezultatet e raportit preliminar për qëndrueshmërinë e urës.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX” – thotë ZKM.

Kryeministri është shprehur i bindur se liria e lëvizjes, sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.

Takimi u konsiderua nga Kryeministria si takim në kuadër të konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm, me ç’rast Kurti ka shprehur edhe falënderimin e tij ndaj Ulutash për komunikimin e rregullt.

Kryeministri Kurti u shoqërua nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

Përderisa Qeveria e Kosovës po synon hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Europian kanë kundërshtuar këtë përmes disa deklaratave publike.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot (13.08.2024) se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën” – tha sot ambasadori amerikan për Radion Evropa e Lirë.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”- ka shtuar ai.

Ndërsa, Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ideja e përfshirjes së kësaj teme në dialog është kundërshtuar më parë edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ministria e Infrastrukturës ka publikuar sot raportin preliminar që thotë se Ura e Ibrit është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.